Life Style

Destinacionet më të mira për pushime këtë verë?

10.05.2015 13:26

Jugu i Francës? Ishte favorit vitin e kaluar, por nuk do ta gjeni në listën e vendeve të preferuara për të kaluar pushime të mrekullueshme këtë verë...

Më saktë, pushime prej VIP-ash, siç përshkruhen në blogun “The Style Traveller”, një udhërrëfyes për ata, që ndjekin modën në çdo gjë, edhe në frekuentimin e vendeve më të pferuara nga të famshmit.
 
E para vjen si gjithmonë “Meka” e padiskutueshme e pushimit, Ibizza. Me ditët plot diell, hotelet fantastike e plazhet e mrekullueshme, ishulli i festave nuk zhgënjen kurrë.
 
Tulumi në Meksikë rekomandohet gjithashtu, nëse ju pëlqen një largim nga e zakonshmja dhe një zhytje në botën e një fshati, dikur stil hipish, sot të transformuar në një parajsë të vërtetë e të shumëkuotuar.
 
Marakeshi i Marokut, ku tërhiqeshin në rehati “Rolling Stones”-at gjatë viteve ’60, i ka rifituar kredencialet e një vendi magjepsës ekzotik. 
 
Si habitati i njerëzve më të bukur të botës, nuk është çudi që Rio de Zhaneiro i Brazilit rreshtohet edhe ai në listën e vendeve të nxehta të “fashionist”-ëve. E nuk i dihet sa njerëz të famshëm mund të ndeshni në tarracat e ndonjë hoteli luksoz atje, teksa jeni duke shijuar ndonjë koktej “caipirinha”.
 
I fundit, por jo për nga rëndësia, përmendet Majemi i Shteteve të Bashkuara, destinacioni i adhuruesve të festave, modës, yjeve të ekranit e të muzikës.
 
Ka nga të gjitha, njerëz të thjeshtë e princesha të kirurgjisë plastike, një larmi që nuk të mërzit kurrë, pa përmendur pastaj dhe klubet e famshme të natës.