Botë
Sulmet izraelite në Gaza vazhdojnë edhe në ditën e dytë të Fitër Bajramit
31.03.2025 15:56
Sulmet e Izraelit në Rripin e Gazës kanë vazhduar edhe në ditën e dytë të Fitër Bajramit, duke shkaktuar viktima dhe të plagosur...

Sulmet e Izraelit në Rripin e Gazës kanë vazhduar edhe në ditën e dytë të Fitër Bajramit, duke shkaktuar viktima dhe të plagosur. Ushtria izraelite shënjestroi objektet pranë spitalit Al-Shifa që ndodhet në perëndim të Gazës. Gjithashtu u zbulua një varr i madh masiv ku janë groposur pjesëtarët e personelit mjekësorë të organizatave të ndryshme humanitare që kanë ndihmuar të plagosurit në Gaza.
“Ekuipazhet mjekësore dhe të mbrojtjes civile u ekzekutuan, ushtria izraelite ua lidhën duart dhe i vendosën trupat e tyre në një gropë dhe i mbuluan me rërë. Imagjinoni një vdekje të tillë të mundimshme. Pse? Këta njerëz duhet të ndiqen penalisht në Gjykatën Penale Ndërkombëtare, kjo duhet të jetë një prioritet, jo vetëm pengjet.”, kushërira e mjekut ndihmës Ezz El-Din Shaat, Um Belal Shaat.
“Ai po shpëtonte të plagosurit dhe dëshmorët. E kishim një javë që e prisnim. Disa thanë se ishte i plagosur, të tjerë thoshin se ishte dëshmor, por doli që ata u vranë që në momentin e parë. Ushtria izraelite i vranë dhe i varrosën tre metra thellë që të mund të fshehin veprimet e tyre të tmerrshme. Ka qenë 18 vjet ndihmës në Gjysmëhënën e Kuqe. Ai transportonte të plagosurit, nuk transportonte raketa apo bomba në ambulancë.”, tha nëna e një prej mjekëve ndihmës, Um Saleh Muammar.
Në sulmet ajrore izraelite në veri dhe jug të Gazës në ditën e parë të Fitër Bajramit u vranë 33 palestinezë, përfshirë 13 fëmijë, ndërsa u plagosën shumë të tjerë. Federata Ndërkombëtare e Shoqatave të Kryqit të Kuq dhe Gjysmëhënës së Kuqe tha se është “e indinjuar” nga vrasja e tetë mjekëve në detyrë, në qytetin Rafah në jug të Gazës. Ekipi prej nëntë personash u sulmua më 23 mars, ndërsa trupat e tyre u morën të dielën, pasi qasja në vendngjarje nuk u lejua për një javë.
Ndërkohë kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu gjatë një takimi të qeverisë, ka thënë se Izraeli është i gatshëm të flasë për “fazën përfundimtare” të një marrëveshjeje me Hamasin për lirimin e pengjeve dhe një armëpushim në Rripin e Gazës.
“Hamasi duhet të lërë armët. Udhëheqësit e tij do të lejohen të largohen”, tha Netanjahu.
Numri i personave që kanë humbur jetën në sulmet e Izraelit në Rripin e Gazës që nga 7 tetori 2023 është rritur në 50.251 ndërsa numri i të plagosurve në 114.025.
FARIJE DAUTI BAKIU
