Botë

Zveçan, sulmohet me granata objekti i Postës së Kosovës

01.04.2025 14:23

Mbrëmjen e kaluar 30 minuta pas mesnate është dëgjuar një shpërthim pranë objektit të Postës së Kosovës në qendër të komunës së Zveçanit...

Mbrëmjen e kaluar 30 minuta pas mesnate është dëgjuar një shpërthim pranë objektit të Postës së Kosovës në qendër të komunës së Zveçanit, nga i cili nuk ka pasur viktima, por janë shkaktuar dëme materiale. Policia e Kosovës tha se persona të panjohur kanë hedhur dy granata dore ndaj objektit të sapohapur të Postës së Kosovës, njëra prej të cilave nuk ka shpërthyer.
 
“Njësia anti-terror është duke “punuar intensivisht për të zbuluar autorët e këtij shpërthimi.”. Për rastin është njoftuar Prokuroria e Shtetit, që është udhëzuar ta iniciojë rastin si “shkaktim i rrezikut të përgjithshëm.”, theksojnë nga policia e Kosovës. Posta e Kosovës ka dënuar ashpër sulmin duke theksuar se nuk e zmbrapsë përkushtimin e Postës, për të ofruar shërbime cilësore.
 
"Njoftojmë qytetarët se në këtë qytet vazhdon të jetë funksionale edhe zyra postare Zveçan-1, e cila ndodhet në objektin e komunës., thuhet në reagim.
 
Edhe kryeministri, Albin Kurti, ka dënuar ashpër sulmin në Zveçan, duke e quajtur atë ”sulm me elemente terroriste”.
 
“Me shqetësim të thellë dhe vendosmëri të palëkundur për të mbrojtur stabilitetin dhe rendin kushtetues dënojmë fuqishëm sulmin me elemente terroriste ndaj objektit të Postës së Kosovës në Zveçan, i kryer sot me datë 1 prill 2025. Ky akt dhune është një orvatje për të cenuar sigurinë dhe për të penguar integrimin e qytetarëve në sistemin ligjor dhe institucional të Republikës së Kosovës. Brengosëse në këtë situatë mbetet fakti se individë të njohur për lidhjet e tyre me grupe kriminale dhe terroriste, si Millan Radojçiqi, vazhdojnë të mbeten të lirë, e po strehohen dhe po shfrytëzohen nga pushteti në Serbi për qëllime shoviniste.”, thekson mes tjerash Kurti.
 
Kryetari i Komunës së Zveçanit, Ilir Peci, në reagimin e tij e ka cilësuar sulmin si “një provokim të rrezikshëm dhe vepër të organizuar terroriste kundër qetësisë dhe stabilitetit në komunë”.
 
“Ky sulm është një tentativë e qartë për të destabilizuar rajonin dhe për të shkaktuar frikë te qytetarët. Autorët duhet të gjenden dhe të paraqiten përpara drejtësisë.”, thuhet në reagimin e kryetarit të Zveçanit, Ilir Peci. 
 
GYLTENE SINANI