Maqedoni
Konferencë, “Menaxhimi i qëndrueshëm i mbeturinave”
01.04.2025 14:41
Vendi ynë ka kornizë të mirë ligjore dhe e njëjta është tërësisht e harmonizuar me legjislacionin me BE-në...

Vendi ynë ka kornizë të mirë ligjore dhe e njëjta është tërësisht e harmonizuar me legjislacionin me BE-në, sa i përket menaxhimit të mbeturinave. Aktualisht po zbatohen edhe disa projekte me mbështetje nga jashtë, por ajo që mungon është zbatimi i saj në praktikë. Ky është konstatimi i përgjithshëm në konferencën kushtuar projektit “Menaxhimi i qëndrueshëm i mbeturinave”.
“Mungon zbatimi i kornizës ligjore, arsyeja për të cilën jemi mbledhur edhe tani. Ky është një ndër projektet të cilët po e zbatojmë që kanë të bëjnë me krijimin e një sistemi të integruar rajonal për menaxhimin e mbetjeve. Mjetet për investimet kapitale janë të siguruara. Kemi mjete të cilët janë siguruar përmes fondeve IPA në formë grante, mirëpo kemi edhe hua nga Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim.”, - deklaroi udhëheqësja e sektorit për menaxhim me mbeturina, Ana Karanfillova Maznevska.
Projekti “Menaxhim i qëndrueshëm i mbeturinave në nivel lokal” financohet nga Suedia dhe i njëjti zbatohet nga “SALAR Internacional” në bashkëpunim me Ministrinë e Ambientit, Ministrinë e Vetëqeverisjes Lokale dhe BNjVL-në.
“Një nga gjërat më të rëndësishme për t’u bërë në RMV është që të krijohet një sistem i qëndrueshëm për menaxhimin e mbeturinave. Ne dimë që sot shumica e mbeturinave shpërndahen nëpër deponi tokësore, pa u përpunuar dhe ky është një problem i madh për mjedisin.”, - theksoi ambasadorja e Mbretërisë së Suedisë, Ami Larson.
“Në këtë drejtim kemi parë lëvizje të vogla viteve të kaluara. Gjendja momentale me mbeturinat është se pothuajse të gjitha mbeturinat e krijuara nuk përfundojnë vetëm në deponitë e caktuara legale, por hidhen edhe nëpër vende, deponi të egra gjithandej. Ne jemi munduar që të adresojmë këtë situatë viteve të fundit dhe para 8 viteve kur kemi alokuar mjete për menaxhimin e mbeturinave, por sot fatkeqësisht shumë pak është arritur.”, - u shpreh përfaqësuesi i delegacionit të BE-së në Shkup, Shtefan Hudolin.
Kryetarët e komunave janë të vetëdijshëm për gjendjen në të cilën ndodhen komunat të cilët ata drejtojnë, shprehen të interesuar, për të zbatuar projektin në fjalë me të cilën menaxhimin e mbeturinave do ta kthejnë edhe si biznes fitimprurës për ta dhe për shtetin. Qendra rajonale për menaxhimin e mbeturinave planifikohet të ndërtohet në komunën e Novacit.
“Jemi të interesuar për të parë dhe për të na njoftuar rreth gjithë këtij projekt i madh, se si ai do të zbatohet dhe do të duket në praktikë. Si do të bëhet menaxhimi i mbeturinave, stacionet për ngarkimin e mbetjeve, si do të jetë struktura organizuese e ndërmarrjeve lokale komunale, infrastruktura rrugore.”, - deklaroi kryetari i komunës së Novacës, Stefçe Stefanovski.
“Jemi duke u njoftuar me përvojat suedeze që me mbi 50 vite me radhë menaxhon me sukses me mbeturinat. Ne jemi të vetëdijshëm se menaxhimi i mbeturinave është investim më i mirë në të ardhmen, si në aspekt të ekologjisë ashtu edhe për nevojat e qytetarëve tanë.”, - theksoi kryetari i komunës së Prilepit, Borçe Jofçevski.
Pjesëmarrësit në konferencë njëherit theksuan mungesën e inspektorëve në terren dhe mos gjobitjen e ndotësve.
REXHEP QAMILI
