Maqedoni
Zhvillimet brenda koalicionit VLEN, Taravari: Nuk do ta braktisim Qeverinë
01.04.2025 15:09
Aleanca për Shqiptarët e Arben Taravarit nuk do të braktisë Qeverinë, e as koalicionin VLEN në rast mosdakordimi për zgjedhjet lokale....

Aleanca për Shqiptarët e Arben Taravarit nuk do të braktisë Qeverinë, e as koalicionin VLEN në rast mosdakordimi për zgjedhjet lokale. Kreu i partisë, Taravari, i mohon këto zëra edhe pse thotë se ekziston asinkron brenda VLEN-it në marrjen e vendimeve të caktuara. Taravari edhe njëherë pohon se ekzistojnë kanale komunikimi midis VLEN-it dhe BDI-së.
“Jo, as që e kemi thënë se dalim prej Qeverie, as që e kemi në plan të dalim prej Qeverie. Jo, aspak! Njerëz që komunikojnë prej partive të ndryshime vazhdimisht ka, së paku deputetët në Parlament, të gjitha partitë takohen me njëri-tjetrin. Edhe ky është njëfarë komunikimi. Se ka njëfarë pakënaqësie prej funksionimit të VLEN-it brenda Qeverisë, ky është fakt i pamohueshëm. Kështu që unë mendoj se desinkronizimi ynë brenda VLEN-it mendoj se është problem kryesor dhe na duhet sinkronizim më i mirë.”, - deklaroi ministri i Shëndetësisë, Arben Taravari.
LD, Lëvizja “Besa”, Alternativa përgënjeshtrojnë Taravarin
Edhe përkundër turbulencave, grupet e punës brenda VLEN-it janë duke punuar bashkë në Parlament për të gjetur formulën më të mirë për të dalë në zgjedhjet lokale së bashku, thotë Taravari. Sipas tij, nuk mungon as komunikimi me tre bashkë-liderët e tjerë të VLEN-it.
“Jo! Shihni! Ne i kemi dy opsione për zgjedhjet lokale. Një është VLEN-i të shkojë së bashku, që unë e dëshiroj të jetë ashtu; dhe e dyta të dalim vetë në zgjedhje lokale si Aleancë për Shqiptarët.”, - theksoi ministri i Shëndetësisë, Arben Taravari.
Deklarimet e Taravarit për komunikim të VLEN-it me BDI-në kanë nxitur edhe reagimet e Lëvizjes Demokratike, Lëvizjes “Besa” dhe Alternativës. Ato kanë mohuar komunikimet me partinë e Ahmetit.
“LD-ja nuk ka dhe nuk do të ketë asnjë lloj bashkëpunimi me një parti të zhytur në korrupsion, ku figura kryesore të saj janë të vendosura në listën e zezë të Departamentit Amerikan të Shtetit për kapjen e gjyqësorit dhe abuzimin me pushtetin.”, theksojnë nga Lëvizja Demokratike.
“Qytetarët dhe mbështetësit e Lëvizjes “Besa” e dinë mirë, se që nga themelimi dhe deri më tani, asnjëherë nuk kemi qenë në komunikim me BDI-së, kur ajo është dashur të shpëtohet nga bëmat e saj, e as këtë herë nuk ka asnjë arsye për të pasur madje edhe kanal komunikimi me të.”, pohojnë nga Lëvizja “Besa”.
“Alternativa gjykon se nuk ka asnjë arsye e nevojë që të komunikohet me një parti të regjistruar në listën e zezë amerikane të personave non grata, e cila te shqiptarët do të mbahet mend vetëm për korrupsion, krim dhe abuzim me pushtetin.”, thonë nga Alternativa.
Por, sipas Taravarit, BDI ka dhënë sinjale për bashkëpunim në zgjedhjet lokale, jo vetëm ndaj ASh-së, por edhe ndaj tre partnerëve të tij të koalicionit.
MERAL ISMAILI
