Maqedoni
Një pjesëtar i sigurimit të Mickoskit në paraburgim, dyshohet se ka zbuluar sekrete zyrtare
01.04.2025 15:22
Një pjesëtari të ekipit të sigurimit të kryeministrit, Hristijan Mickoski, i është caktuar masa e paraburgimit prej 30 ditësh...

Një pjesëtari të ekipit të sigurimit të kryeministrit, Hristijan Mickoski, i është caktuar masa e paraburgimit prej 30 ditësh nën dyshimin se ka kryer veprën e zbulimit të sekretit zyrtar dhe është dërguar në burgun e Shuto Orizarës. Ai u kap në aksionin e MPB-së dhe Prokurorisë për ndjekjen penale të krimit të organizuar dhe korrupsionit dhe në automjetin e tij iu gjet një çantë shpine me materiale zyrtare të MPB-së. Kanë reaguar nga LSDM-ja opozitare nga e cila kanë akuzuar se sigurimi i kryeministrit përbëhet nga kriminelët më të mëdhenj në vend, të cilët Mickoski i ka përzgjedhur personalisht. Nga LSDM akuzojnë për ekzistimin e një koordinimi të fortë mes njerëzve më të afërt të Mickoskit dhe botës së krimit.
“Pse njerëzit e besueshëm të kryeministrit kanë bashkëpunim me nëntokën? A është kjo gjendje rastësore apo skemë e organizuar? Apo ndoshta tanimë nuk flasim për Qeveri, por për strukturë të lidhur me rrjete kriminale? Dhe pyetja kyçe, si pjesëtari i sigurimit kishte dokumente të tilla, kush ia dha dokumentet e tilla?”, - deklaroi Mile Taleski nga LSDM.
Nga VMRO-DPMNE janë kundërpërgjigjur se nuk ka mëshirë për kriminelët, qofshin ata anëtarë të LSDM-së, VMRO-DPMNE-së, apo pjesëtarë i sigurimit të kryeministrit. LSDM-ja në vend që të mirëpresë veprimin e MPB-së, reagon pa ofruar zgjidhje.
“LSDM-së nuk i pengonte që BDI udhëhiqte me rrugët e Shkupit dhe së bashku me klanet mafioze të cilët tani janë prapa grilave shkatërronin jetë në kryeqendër, nëpërmjet reketit, fajdeve dhe drogës. Atëherë LSDM heshte dhe bashkëpunonte me ta. Ndërsa tani po i pengon se po arrestohen të gjithë që nuk e kryejnë shërbimin me ndërgjegje.”, - theksoi Valentin Manasievski nga VMRO-DPMNE.
Prokuroria dhe Ministria e Brendshme nuk zbulojnë detaje se ku duhej të përfundonin materialet, pasi hetimi është sekret. Nuk bëhet e ditur se nga janë marrë, çfarë materialesh janë, si dhe kujt është dashur t’i dorëzohen materialet.
FLORIJE KAMBERI
