Maqedoni

Kuvend, kalon Ligji për sigurim pensional dhe invalidor

01.04.2025 15:33

Kuvendi republikan me 68 vota “për” dhe 15 “kundër” miratoi Ligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për sigurim pensional dhe invalidor....

Kuvendi republikan me 68 vota “për” dhe 15 “kundër” miratoi Ligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për sigurim pensional dhe invalidor. Me këto ndryshime shfuqizohet rritja fikse e pensioneve. Nga shtatori 2025, pensionet do të rregullohen sërish sipas metodologjisë së vjetër – 50% sipas indeksit të kostos së jetesës dhe 50% sipas rritjes së pagës mesatare të paguar. Ndryshimet ligjore sjellin një kusht të ri për emërimin e drejtorit dhe zëvendësdrejtorit të Fondit për Sigurim Pensional dhe Invalidor, ku kandidatët duhet të kenë vërtetim apo certifikatë të njohjes së një prej tre gjuhëve më të përdorura në Bashkimin Evropian. Deputetja nga radhët e LSDM-së, Jovanka Trençevska, tha se rreth 12 mijë pensionistët të cilët kanë fituar të drejtën e pensionit në Maqedoni, por pagesën e marrin në shtet tjetër, do të përjashtohen nga harmonizimi i pensioneve.
 
“Me këto ndryshime nebuloze dhe kundërkushtetuese po jepni hapësirë që shtetet me të cilat kemi nënshkruar marrëveshje për sigurim social ta bëjnë të njëjtën edhe për qytetarët tanë që kanë punuar në njërën nga këto vende, ndërsa ditët e pensionimit kanë vendosur t’i kalojnë në Maqedoni.”, - deklaroi deputetja e LSDM-së, Jovana Trençevska.
 
Nga VMRO-DPMNE theksojnë se është Trençevska ajo që si ministre e Punës dhe Politikës Sociale ka shpërfillur pensionistët.
 
“Kur e pashë që ish-ministrja për Punë dhe Politikë Sociale u paraqit për këtë pikë, unë prita që LSDM është reformuar dhe se ajo do të kërkojë falje nga pensionistët, pasi që jemi shteti i vetëm në botë ku pensionistët dolën në protesta, pikërisht për shkak të kësaj ministre.”, - u shpreh deputeti i VMRO-DPMNE-së, Brane Petrushevski.
 
Deputetët me 87 vota "për" dhanë dritë jeshile që propozim-ligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për kundërvajtje kundër rendit dhe qetësisë publike të shqyrtohet me procedurë të shkurtuar. Me këto ndryshime parashihen ndalesa të tërësishme të mjeteve piroteknike në ambient të mbyllur, dënime të dyfishta për personat fizik dhe juridik që nuk do ta respektojnë këtë dispozitë. Propozim-ndryshimet në këtë ligj bëhen me qëllim të parandalimit të tragjedive, si ajo e fundit në Koçan, ku humbën jetën 59 persona.
 
“Me këtë rast dua t’u bëj thirrje të gjithë deputetëve që të inkuadrohen në punimin e këtyre ndryshimeve, me sugjerime dhe mendime të tyre të kemi ligje cilësore, të mos ketë më tolerime, të mos ketë më improvizime dhe të mos ketë më fatkeqësi. Për këtë qëllim, ligji është në procedurë të shkurtër, sa i përket shkeljeve të rendit dhe qetësisë publike, në mënyrë të përgjithshme po shtrëngohet rrethi ndaj rreziqeve me shfrytëzimin e mjeteve piroteknike në ambient të mbyllur.”, - u shpreh deputeti i VMRO-DPMNE-së, Toni Jarevski.
 
Ligji do të sjellë edhe autorizime më të mëdha për MPB-në, që nënkupton se nëse vepra përsëritet, përveç gjobave për kundërvajtje, shkelësi i këtyre dispozitave mund të përfundojë i arrestuar.
 
FLORIJE KAMBERI