Shqipëri, shënohet 16-vjetori i anëtarësimit në NATO
Shqipëria kremton këtë 1 prill 16-vjetorin e hyrjes...

Shqipëria kremton këtë 1 prill 16-vjetorin e hyrjes në Aleancën e Atlantikut të Veriut, NATO.
Në këtë përvjetor, presidenti i Republikës, Bajram Begaj, shkruan se Shqipëria e feston me krenari këtë ditë, duke dëshmuar se është anëtare e denjë e aleancës me kontribute dhe pjesëmarrje aktive në misione dhe operacione të NATO-s.
“Shqipëria do të vijojë të jetë e përkushtuar ndaj aleancës euroatlantike për të pasur një NATO të fortë, të bashkuar dhe solidare.”, shkroi kreu i Shtetit.
Edhe ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani, përcolli një mesazh për këtë ditë, duke shkruar se Shqipëria ka NATO-n dhe NATO-ja ka Shqipërinë!
“Me kontekstet e reja gjeopolitike do të forcojmë partneritetin me aleatët tanë, si dhe do të vazhdojmë me krenari kontributin për forcimin e paqes, sigurisë dhe stabilitetit në rajon dhe më gjerë.”, nënvizon ministri, Hasani.
Për ministrin e Mbrojtjes, Pirro Vëngu, ky rrugëtim 16-vjeçar ka qenë plot sfida, përkushtim dhe arritje të mëdha.
“Sot, forcat tona të armatosura kontribuojnë në misione të sigurisë dhe stabilitetit krah për krah aleatëve tanë, duke dëshmuar vendosmërinë e Shqipërisë për një mbrojtje kolektive dhe paqe të qëndrueshme.”, thotë Vëngu, duke e quajtur anëtarësimin një nga arritjet më historike të kombit shqiptar. (Luljeta Ndoka, TVM2)
