Drejtoria për Mbrojtje dhe Shpëtim: Dëme materiale nga vërshimet në Batincë
Nuk ka rrezik për banorët nga derdhja e lumit Markovë...

Nuk ka rrezik për banorët nga derdhja e lumit Markovë, sepse niveli i ujit është kthyer në shtrat. Kështu ka bërë të ditur Drejtoria për Mbrojtje dhe Shpëtim, duke potencuar se ka pasur dëme materiale tek banorët e Batincës nga vërshimet e mbrëmshme.
Pas informacioneve fillestare për derdhjen e lumit Markovë në Komunën e Studeniçanit, fshatin Batincë, ekipi i vlerësimit të rrezikut i Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim nga afër ka monitoruar gjendjen në terren.
Drejtori Xhevat Selami ishte në komunikim të vazhdueshëm me ekipet në terren, kryetarin e komunës së Studeniçanit, Azem Sadiki, drejtorin e ShA për Menaxhimin e Ujërave, Filip Filipovski, për të siguruar reagim të koordinuar dhe efektiv.
“Një ekip ka ndërhyrë me pompat e nxjerrjes së ujit, të cilat do të jenë në dispozicion sipas nevojës gjatë gjithë ditës. Sipas informacioneve të deritanishme, situata është nën kontroll dhe nuk ka rrezik për banorët, përveç dëmeve materiale të regjistruara aktualisht”, thuhet në njoftimin e Drejtorisë për mbrojtje dhe shpëtim.
