Këshilli i Prokurorëve Publikë, mendim negativ për shkarkimin e Kocevskit

02.04.2025 13:18

Pas dy anulimeve të seancës, Këshilli i Prokurorëve Publikë...

Pas dy anulimeve të seancës, Këshilli i Prokurorëve Publikë dha mendim negativ për propozimin e Qeverisë për shkarkimin e kryeprokurorit, Lupço Kocevski.

Nga nëntë anëtarë të Këshillit, tre votuan për të pranuar propozimin, ndërsa gjashtë ishin kundër.

Me këtë rast, Këshilli i Prokurorëve Publikë e përjashtoi publikun nga seanca për shkak të ndjeshmërisë së procesit dhe mbrojtjes së reputacionit dhe integritetit të prokurorit publik, ku publiku nuk pati mundësinë të dëgjojë argumentet e anëtarëve të Këshillit, sa i përket dhënies së mendimit për këtë çështje.

“Anëtarët e Këshillit duke e shqyrtuar propozimin e Qeverisë së RMV-së, sa i përket shkarkimit të kryeprokurorit, miratoi mendim me shumicë të votave nga anëtarët e Këshillit dhe dha mendim negativ sa i përket propozimit të Qeverisë për shkarkim. Vendimi në formë të shkruar dhe me arsyetim do të dërgohet në Qeveri. Për momentin nuk mundem t’ju zbuloj detaje, pasi që akoma nuk është përgatitur.”, - deklaroi kryetarja e Këshillit të Prokurorëve Publikë, Dushica Dimitrieska.

Zëdhënësja e Qeverisë, Marija Miteva, më 26 mars deklaroi se Qeveria do ta ndërpresë procedurën dhe se mendimi i Këshillit të Prokurorëve Publikë nuk do të përcillet në Kuvend.

Edhe kryeministri, Hristijan Mickoski, pas tragjedisë në Koçan deklaroi se procedura për shkarkimin e prokurorit publik, Kocevski, do të ndërpritet në momentin në të cilin ai ndodhet, për t’u dhënë mundësinë prokurorëve të kryejnë punën e tyre të hetimit.

Shkarkimi i Kocevskit u iniciua nga Qeveria për shkak të pakënaqësisë nga puna e tij. Sipas qëndrimeve qeveritare, Kocevski kishte vepruar në mënyrë të kundërligjshme, kishte shkaktuar prishje të marrëdhënieve ndërnjerëzore brenda Prokurorisë, si dhe ka ndikuar në disa lëndë. (Florije Kamberi, TVM2)