Maqedoni
Reformat në legjislacionin e punës, Durmishi: Janë të pashmangshme
02.04.2025 13:36
Durmishi siguroi se nevojiten reforma të shpejta dhe të njëjtat janë të pashmangshme në ligjin aktual për marrëdhëniet e punës...

Ministri i Ekonomisë dhe Punës, Besar Durmishi, në një fjalim në konferencën “Reforma e Ligjit për Marrëdhëniet e Punës – sfidat dhe drejtimet”, siguroi se nevojiten reforma të shpejta dhe të njëjtat janë të pashmangshme në ligjin aktual për marrëdhëniet e punës, i cili daton që nga viti 2005 dhe 28 ndryshimet dhe plotësimet të cilat janë bërë në ligjin aktual, të njëjtat vetëm kanë vështirësuar në zbatimin e ligjit dhe ai nuk mund t’i ndjekë ndryshimet e shpejta në tregun e punës.
“Ligji aktual për marrëdhëniet e punës daton nga viti 2005 dhe ndërkohë janë bërë 28 ndryshime dhe plotësime të po këtij ligji. Ndryshimet e shumta kanë kontribuar në vështirësinë e zbatimit të ligjit dhe ai nuk mund t’i ndjekë ndryshimet e shpejta në tregun e punës, ku janë konstatuar shumë dispozita, që për shkak paqartësisë së tyre, kontribuojnë në pasigurinë juridike. Prandaj, reformat në legjislacionin e punës janë të pashmangshme, që do të përfshijnë interesat dhe nevojat si të punëtorëve ashtu edhe të punëdhënësve, e që duhet të pranohen nga të dyja palët.”, - deklaroi ministri i Ekonomisë dhe Punës, Besar Durmishi.
Sipas ministrit Durmishi, ndryshimet duhet të bëhen në pjesën e angazhimit të punëtorëve dhe sipas ligjit nëse një punëtor është i angazhuar 2 vite më kontratë të caktuar të punës, atij duhet t’i takojë kontratë e papërcaktuar. Sipas Durmishit, reforma nuk është vetëm një proces teknik, por një vendim për drejtimin që duhet të marrë tregu i punës në vendin tonë.
Ligji për marrëdhëniet e punës, sipas ministrit të Ekonomisë, luan një rol të rëndësishëm në sigurimin e një kuadri legjislativ për marrëdhënie të drejta dhe efikase të punës, që duhet të promovojë punësim produktiv dhe të denjë dhe rrjedhimisht paqe sociale. Ai vuri në dukje se sfidat moderne kërkojnë një sistem ligjor të qartë, fleksibil për punëdhënësit, të drejtë për punëtorët dhe funksional për shtetin. Në Konferencë të pranishëm ishin edhe përfaqësues të sindikatave, punëdhënësve, organizatave ndërkombëtare dhe ekspertëve të fushës, të cilët diskutuan për drejtimet e mundshme të reformës së ligjit për marrëdhëniet e punës.
FITIM KRYEZIU
