Botë

Zgjedhjet e 11 majit në Shqipëri, misioni i OSBE/ODIHR përcakton vëzhguesit

02.04.2025 14:14

300 vëzhgues afatshkurtër dhe 26 vëzhgues afatgjatë do të shpërndahen në 12 qarqet e Shqipërisë...

300 vëzhgues afatshkurtër dhe 26 vëzhgues afatgjatë do të shpërndahen në 12 qarqet e Shqipërisë për llogari të OSBE/ODIHR në kuadër të zgjedhjeve të 11 majit.
 
Në deklaratën e parë pas emërimit, kreu i misionit, Lamberto Zanier, gjatë konferencës për mediat në Tiranë tha se vëzhgimi përfshin ngjarjet në terren, si dhe fushatën në rrjetet sociale. 
 
“Do të monitorojmë nga afër të gjitha aspektet e zgjedhjeve, si kuadri ligjor, zbatimi i fushatës edhe në rrjetet sociale, puna e administratës zgjedhore në të gjitha nivelet, mosmarrëveshjet dhe mbulimi mediatik në përgjithësi. Si pjesë e këtij procesi do të jenë edhe takime me përfaqësues të shtetit, partive politike, shoqërisë civile, medias dhe faktorit ndërkombëtar.”.
 
Ambasadori Zanier deklaroi se ekipi i tij do të vlerësojë të gjitha aspektet e zgjedhjeve, përfshirë edhe përdorimin e mundshëm të parave të krimit në fushatë.
 
“Metodologjia jonë e vëzhgimit përfshin edhe këtë çështje. Do të analizojmë situatën në terren dhe masat e marra mbi rekomandimet e mëparshme. Bashkëpunimi me autoritetet është i rëndësishëm, por gjetjet tona do të ndahen përmes raporteve zyrtare.”.
 
Një ditë pas zgjedhjeve, më 12 maj, OSBE/ODIHR do të publikojë një raport paraprak me gjetjet kryesore të procesit, ndërsa raporti përfundimtar, me një vlerësim të detajuar të zgjedhjeve, pritet të publikohet disa javë më pas.
 
LULJETA NDOKA