Maqedoni

Takim liderësh, Filipçe kërkon takim tet a tet me kryeministrin, Mickoski, i hapur për takim përmbajtësor

02.04.2025 14:35

Filipçe kërkon takim tet a tet me Mickoskin për të nisur dialogun politik, me qëllim krijimin e një strategjie afatgjate për funksionimin e shtetit....

Kryesocialdemokrati, Venko Filipçe, kërkon takim tet a tet me kryeministrin, Hristijan Mickoski, për të nisur dialogun politik, me qëllim krijimin e një strategjie afatgjate për funksionimin e shtetit. Sipas Filipçes, bashkëpunimi është më se i nevojshëm, pasi përpjekjet ndaras të pushteteve për ndryshime kanë dështuar. Filipçe tek Mickoski do të shpalosë planin e tij për ndryshime në arsim, shëndetësi, gjyqësor, ambientin jetësor dhe çlirimin e institucioneve nga politika. Pas takimit në katër sy, Filipçe thotë se mund të ketë edhe takim liderësh me të gjitha partitë.
 
“Takimi i parë mund të jetë tet a tet. Për formën e ndryshimeve duhet të bisedojmë. Një sistem të tillë deri më tani nuk e kemi pasur. Duhet të gjithë të flasim për temat dhe si t’i jetësojmë temat e dakorduara. Kam disa ide të cilat i mendoj. A do të jetë kjo nëpërmjet komisionit parlamentar ose nëpërmjet grupit të përbashkët të punës në të cilin do të merrnin pjesë ekspertë, këtë do ta shqyrtojmë në takim. Nuk dua që kjo të tingëllojë si plan të cilin e servirim si të gatshëm. Vlerësoj se të gjithë duhet të marrim pjesë në përpilimin e metodologjisë se si plani të realizohet.”, - deklaroi kryetari i LSDM-së, Venko Filipçe.
 
Por, kryeministri Hristijan Mickoski konsideron se për një temë serioze duhet të flitet seriozisht dhe jo t’i qasemi nëpërmjet mediave. Ai ftoi liderin e LSDM-së që me plan konkret t’i drejtohet Qeverisë dhe ta elaborojë të njëjtin.
 
“Nëse me të vërtetë ka plan dhe dëshirë për të ndihmuar, jam në dispozicion në çdo kohë, do të ndryshoj orarin e angazhimeve, madje edhe në mesnatë mund ta dëgjoj planin e tij se çfarë mund të zgjidh i njëjti. Por, nëse plani përmban qasje sikurse në kohën e koronës, atëherë unë plane të tilla nuk mund të pranoj.”, - theksoi kryeministri, Hristijan Mickoski.
 
Filipçe kërkesën për takim do ta bëj sot apo nesër dhe me mbajtjen e takimit nuk do të përjashtojë mundësinë që të hapë bisedë edhe për ndryshimet kushtetuese.
 
MERAL ISMAILI