Ekonomi

LSM mban seancë publike, kërkon pagë minimale 500 euro

02.04.2025 14:47

Nuk mund të ketë për deputetët, e të mos ketë për punëtorët...

Nuk mund të ketë për deputetët, e të mos ketë për punëtorët, dora e zgjatur e punëtorëve nesër mund të shndërrohet në grusht dhe nuk mund të vendoset për punëtorët, pa pajtueshmërinë e punëtorëve. Këto ishin tre pikat kryesore të rendit të ditës të sindikalistëve në seancën e parë publike e mbajtur para ndërtesës së LSM-së. Duke marshuar përmes Qeverisë, deri tek Kuvendi për t’i adresuar kërkesat e tyre, sindikalistët në krye me kryetarin e LSM-së, Slobodan Trendafilov, thanë se të gjitha akuzat e drejtuara ndaj tyre janë pa bazë edhe për shkak të kërkesës për të pasur paga të denja. Nuk heqin dorë, paga minimale të rritet urgjentisht në 500 euro, thanë atë. 
 
“Deputetë të pa nderuar, ju 120, ndërsa mbi 300 jemi ne, respektivisht tri herë më shumë se ju. Sot kemi ardhur këtu të kërkojmë nga ju të merrni vendim që paga minimale të jetë jo më pak se 500 euro dhe njëherit të rriten të gjitha pagat tjera në vend për së paku 100 euro shtesë. Jemi këtu për shkak të faktit se ju nuk do të vendosni për ne, por ne do të vendosim për ju.”, - deklaroi kryetari i LSM-së, Slododan Trendafilov.
 
Durmishi: Sindikata të paraqesë kërkesat në KES
 
Ministri i Ekonomisë dhe Punës, Besar Durmishi, thotë se Qeveria mbështet dialogun social dhe respekton çdo vendim për të protestuar dhe shprehur revoltën e tyre, por sa i përket arritjes së marrëveshjes për pagën minimale, Durmishi tha se sindikatave tanimë u ka skaduar mandati dhe nuk janë përfaqësues. Vlerësoi se nuk ka pasur pajtueshmëri me KES-in për vlerën e pagës minimale, për shkak të mungesës së përfaqësimit nga sindikatat.
 
"Si Qeveri e kemi formuar komisionin, i cili duhet të përcaktojë përfaqësimin e sindikatave dhe ky komision tashmë është duke punuar. Sapo të përcaktohet se cila sindikatë është përfaqësuese, do të konvokoj seancën e Këshillit Ekonomik Social (KES). Pikërisht aty sindikatat duhet t'i shprehin kërkesat e tyre, e jo në rrugë. Nëse sindikatat dhe punëdhënësit dakordohen për çdo bazë tjetër dhe çdo metodologji dhe zgjidhje tjetër ligjore për përcaktimin e pagës minimale, si Qeveri jemi këtu për t'i ndihmuar dhe plotësuar nevojat e tyre.", - theksoi ministri i Ekonomisë, Besar Durmishi. 
 
Filipce: Qeveria të pranojë kërkesat
 
Kryetari i socialdemokrateve, Venko Filipçe, kërkon që Qeveria të pranojë kërkesat e sindikalistëve.
 
“I bëj thirrje Qeverisë që t'u përgjigjet pozitivisht kërkesave të punëtorëve, pasi që pagat janë të ulëta, çmimet janë jashtë kontrollit, ndërsa njerëzit thjesht nuk mund të mbijetojnë. Është racionale dhe reale të kërkohet që paga minimale të jetë 30.000 denarë. Ka një mënyrë për ta vendosur. Është e vërtetë që ka metodologji, por gjithmonë me ndërhyrje politike, ligji mund të ndryshohet për të plotësuar kërkesat.”, - u shpreh kryetari i LSDM-së, Venko Filipçe.
 
Mickoski: Vazhdimisht po rrisim pagat
 
Kryeministri Hristijan Mickoski, thotë se Qeveria maksimalisht është e përkushtuar për të përforcuar performancat ekonomike të qytetarëve, duke rritur pagat nëpër të gjitha sektorët.
 
“Të punësuarit e MPB-së veç më morën rritje të pagave prej 10 për qind, pensionistët po ashtu më herët veç më u janë rritur pensionet e tyre në mënyrë lineare për 2.500 denarë. Të punësuarit në arsim, përveç rritjes së vitit të kaluar, tani pasi do të nënshkruhet marrëveshja, do të fitojnë edhe rritje të re të pagave të tyre. Njëjtë edhe të punësuarit shëndetësorë, kështu që ne në mënyrë të vazhdueshme po punojmë në përmirësimin e standardit jetësor të qytetarëve.”, - deklaroi kryeministri, Hristijan Mickoski.
 
Qeveria duke vepruar në përputhje të ligjit dhe metodologjisë për pagën minimale me të cilën janë respektuar të gjitha palët e interesuara, gjegjësisht sindikatat dhe punëdhënësit, shpallën shumën e pagës minimale në fund të marsit në vlerë prej 400 euro, respektivisht ajo është rritur për 1.800 denarë. LSM-ja paralajmëroi protesta të reja edhe gjatë ditës së enjte.
 
REXHEP QAMILI