Maqedoni

Reagime politike, BDI: Kush po i trembet Komisionit Hetimor

02.04.2025 15:00

Vazhdojnë reagimet e partive politike për tragjedinë në Koçan...

Vazhdojnë reagimet e partive politike për tragjedinë në Koçan. BDI pyet kush i trembet formimit të Komisionit Hetimor në Kuvend me pjesëmarrjen e të gjitha partive politike dhe monitorimit ndërkombëtar nga OSBE-ja, ShBA-ja dhe Bashkimi Evropian? Sipas partisë me seli në Reçicë të Vogël, Qeveria jo vetëm që nuk parandaloi një katastrofë, e cila ka qenë e njohur për institucionet kompetente gjatë gjithë vitit, por edhe e keqpërdori sistemin për të mbrojtur ata që janë përgjegjës.    
 
“Fillimisht, me presion politik mbi Prokurorinë – përmes kërcënimeve ndaj prokurorit nga aktivistët partiakë në rrugë, pastaj me iniciativë për shkarkimin e tij, për të përfunduar me premtimin për ta mbajtur në detyrë, nëse luan sipas rregullave të diktuara. Përveç kësaj, Qeveria ushtroi presion mbi mediat, shoqërinë civile dhe të gjitha zërat kritikë, duke e shndërruar shtetin në një mjet partiak për amnistimin e fajtorëve.”, theksojnë nga BDI.  
 
VLEN: BDI të mos luajë rolin e viktimës
 
Ndaj qëndrimeve të BDI-së reagojnë nga VLEN-i, duke thënë se partia e Ali Ahmetit po luan rolin e viktimës, ndërsa tentojnë të mashtrojnë popullatën, duke dorëzuar nismë për Komision Hetimor me vetëm 16 deputetë, ndërkohë që Kushtetuta kërkon së paku 20. 
 
“Ose nuk e dinë Kushtetutën, ose thjesht duan shou mediatik! E vërteta është e thjeshtë: BDI nuk e ka hallin e Kreshnik Bekteshit, as të drejtësisë për Koçanin. Ata qajnë vetëm për një gjë – vëmendjen që po u ikën çdo ditë! Madje, nuk janë në gjendje as ta konsolidojnë grupin e vet parlamentar, të ashtuquajturin “Front Evropian”. Nga 18 deputetë që ka ky lloj, Fronti arriti të sigurojë vetëm 16 firma – kjo flet më shumë se çdo deklaratë për gjendjen e brendshme në këtë grupim.”, theksojnë nga VLEN-i. 
 
Nga koalicioni në pushtet theksojnë se si rezultat i panikut, BDI është e gatshme t’i bojkotojë zgjedhjet lokale dhe të shkaktojë krizë politike, vetëm për të shpëtuar vetveten dhe për të shmangur përgjegjësinë që po i afrohet. 
 
ERSAN PAJAZITI