Maqedoni

Funksionimi i koalicionit qeverisës, Mickoski siguron se Qeveria është stabile

02.04.2025 15:23

Mickoski siguron se koalicioni qeverisës është stabil edhe përkundër kundërthënieve të krijuara nga VLEN-i...

Kryeministri, Hristijan Mickoski, siguron se koalicioni qeverisës është stabil edhe përkundër kundërthënieve të krijuara nga VLEN-i, por së fundmi edhe përplasjet midis deputetit të VMRO-së, Antonio Milloshovski, dhe ministrit të Drejtësisë, Igor Filkov, nga partia “E di”. Kryeministri mohon problemet me koalicionin VLEN. Ndërkaq, sa i takon përplasjes Milloshovski – Filkov, ai arsyeton të dyja palët.
 
“Unë e vlerësoj lart bashkëpunimin me deputetin, Milloshovski. Ai është vlerë e shtuar edhe në grupin parlamentar, por edhe i partisë. E di edhe ministri, Igor Filkov, se me çfarë problemesh është përballur në Ministrinë e Drejtësisë. Ne në baza ditore koordinohemi dhe bashkëpunojmë në pjesën e reformave. Jam i bindur se e gjithë kjo do të përmbyllet këtu.”, - deklaroi kryeministri, Hristijan Mickoski.
 
Filipçe: Përplasjet, pasojë e dështimit të reformave
 
LSDM-ja opozitare vlerëson se partnerët e koalicionit po dërgojnë mesazhe të ndryshme vështirë të kuptueshme për pasojat. Por, kryetari i partisë i sigurt se përplasja e fundit midis VMRO-së dhe ministrit të Drejtësisë pasqyron reformat e dështuara në gjyqësor.
 
“Qeveria nuk ka performancë të mirë në zbatimin e agjendës reformuese në pjesën e gjyqësorit. 35 ligje duhet të miratohen deri në qershor, pjesa më e madhe në drejtësi. Vetëm një ligj është miratuar. Asnjë tjetër nuk është në procedurë parlamentare.”, - theksoi kryetari i LSDM-së, Venko Filipçe.
 
Deputeti i VMRO-DPMNE-së, Antonio Milloshovski, në një paraqitje televizive ka nënvlerësuar angazhimin e ministrit të Drejtësisë, Igor Filkov, në zbatimin e reformave në gjyqësor. Qëndrimit të tillë që Milloshovski e paraqiti si personal, iu është kundërvënë ministri Filkov me vlerësime pezhorative ndaj deputetit. Ndërkohë ujërat politike në taborin shqiptar i trazoi kryetari i ASh-së, Arben Taravari. Ai pasi nxori në pah kanalet e komunikimit me BDI-në, së fundmi pohoi edhe mosmarrëveshjet brenda koalicionit VLEN në dakordimin e vendimeve të përbashkëta.
 
MERAL ISMAILI