Rajon
Osmani pret sekretarin britanik, Lami: Qeveria e re e Kosovës të formohet sa më parë
02.04.2025 16:22
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka caktuar 15 prillin si datë për mbajtjen e seancës konstituive të përbërjes së re parlamentare....

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka caktuar 15 prillin si datë për mbajtjen e seancës konstituive të përbërjes së re parlamentare. Pa dashur të ndikojë në çështjen e koalicioneve, Osmani shpreson se duke i pasur parasysh zhvillimet gjeopolitike, Qeveria e Kosovës të formohet sa më parë që të jetë e mundur.
“Është me rëndësi për qytetarët e Kosovës, ju po i shihni zhvillimet gjeopolitike, nuk është që globi na pret neve, është me rëndësi që brenda afateve kushtetuese të kemi konstituimin e Kuvendit, që është hapi i parë dhe pastaj Qeverinë e Kosovës, një Kuvend funksional që kryen edhe punën e mbikëqyrjes në raport me qeverinë, sepse Kosova ka shumë punë për të bërë.”, - deklaroi presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani.
Këto komente, Osmani i bëri pas takimit me sekretarin e jashtëm britanik, Dejvid Lami, i cili po ashtu apeloi për konsolidimin sa më të shpejtë të Qeverisë së re të Kosovës.
"Unë e mirëpres përparimin e madh që keni bërë në avancimin tuaj në shkurt dhe shpresoj që ne këtu në Kosovë të angazhohemi për të ndërtuar një Qeveri të re, e cila është e rëndësishme në këto momente të vështira. Ne duam normalizim të plotë për ju këtu në Kosovë, ndërmjet Kosovës dhe sigurisht, Serbisë. Dhe me mbështetjen e Mbretërisë së Bashkuar shpresojmë që do të mund të anëtarësoheni në Këshillin e Evropës. Procesi i Berlinit është i rëndësishëm për t’i krijuar lidhjet brenda këtij rajoni dhe pjesës tjetër të Evropës dhe do të bëjnë çka është e mundur për ta mbështetur atë proces në muajt e ardhshëm.”, - theksoi sekretari i jashtëm britanik, Dejvid Lami.
Sekretari i jashtëm britanik njëherit shfaqi shpresë se Qeveria e ardhshme e Kosovës do t’i adresojë nevojat e të gjithë qytetarëve, duke përfshirë progresin në integrimin e serbëve të Kosovës dhe angazhimin e fuqishëm në dialogun e udhëhequr nga BE-ja.
GYLTENE SINANI
