Botë

Izraeli zgjeron sulmin në Gazë, rritet frika e urisë

02.04.2025 16:46

Ushtria izraelite zgjeron sulmin e saj tokësor në Gazë me arsyetim se në shënjestër i ka grupet e organizatave terroriste...

Ushtria izraelite zgjeron sulmin e saj tokësor në Gazë me arsyetim se në shënjestër i ka grupet e organizatave terroriste, ndërkaq numri i të vdekurve të mërkurën ka kaluar mbi 50. Sipas informacioneve të mediave të atjeshme, më shumë se 1.100 palestinezë janë vrarë që kur Izraeli e theu armëpushimin. Kombet e Bashkuara shprehin shqetësim për situatën e përgjithshme në Lindjen e Mesme. Franca që mori kryesimin e Këshillit të Sigurisë së organizatës universale, në mandatin e saj do të përpiqet të sigurohet se Këshilli do të merret me konfliktet dhe krizat botërore në Lindjen e Mesme, Haiti dhe Afrikë.
 
“Në Lindjen e Mesme situata është shumë shqetësuese. Jo vetëm se konflikti po zhvillohet, por këtu nuk mund të përjashtojmë eskalim rajonal. Pritet që Kombet e Bashkuara të veprojnë në bazë të shumë dosjeve, kuptohet, Gaza, konflikti palestino-izraelit, më gjerë thënë, Libani dhe Siria.”, - deklaroi ambasadori i Francës në OKB, Jerome Bonafont.
 
Ndërkohë, Programi Botëror i Ushqimit po mbyll të gjitha furrat e mbetura në Gazë, për shkak të mungesës së furnizimeve, pasi Izraeli ka bllokuar hyrjen e ndihmave humanitare prej një muaji. Sipas OKB-së, situata është “shumë kritike” me popullsinë që përballet me mungesë ekstreme të ushqimeve bazë, si mielli dhe vaji i gatimit.
 
NERMIN MULAKI FEJZULLAHU