Maqedoni

Lumi Markovë del nga shtrati, përmbyten dhjetëra shtëpi në fshatin Batincë

02.04.2025 17:29

Për shkak të reshjeve intensive të shiut, lumi Markovë ka dalë nga shtrati...

Për shkak të reshjeve intensive të shiut, lumi Markovë ka dalë nga shtrati dhe ka shkaktuar përmbytjen e dhjetëra shtëpive që ndodhen buzë lumit. Fatmirësisht nuk ka viktima, por vetëm dëme materiale.
 
“Për herë të parë ndodh diçka e tillë, uji për pak minuta mbuloi gjithçka. Falënderoj Zotin, nuk ka humbje jetësh, por dëme materiale ka shumë. Ky problem është me dekada. Këtu kemi probleme me kanalizimin dhe shumë probleme të tjera që askush nuk i zgjidh.”, - tha një banor i fshatit Batincë. 
 
“Situata këtu ishte kaotike dhe nuk dihej ku është ura, ku janë fushat, rrugët, i gjithë vendi ishte i përmbytur nën ujë. Problemi kryesor ishte në hyrje të fshatit, pastaj këtu dhe pastaj ka pasur dëme edhe në fund atje. Kemi thirrur te QMK-ja dhe na thanë jemi të informuar dhe se do të vijmë, por nuk erdh askush. Personalisht unë i kam lajmëruar mbi dhjetë herë, së paku dikush të vinte të na vizitonte neve që kemi pësuar dëme, por nuk janë të interesuar aspak.”, - tha një banor tjetër i fshatit Batincë. 
 
“Ka dëme, por të them të drejtën akoma nuk e di se çka është prishur dhe çka jo. Uji ka hyrë në bodrume dhe në katet përdhes. Përpiqem ta largoj njëherë ujin.”, - u shpreh një banor i fshatit Batincë.
 
Ura që ndodhet në hyrje të këtij fshati ka pësuar çarje të thella, veturat që kalojnë mbi këtë urë nuk janë të sigurta, pasi në çdo moment rrezikon të shembet. 
 
“Sipas informacioneve të fundit, ura kryesore e hyrjes në Batincë është e dëmtuar. Mbrëmë pjesa e ujit ka qenë shumë e lartë dhe është rrezikuar që ura të përmbyset. Nuk ka qenë kaluese deri tani në këtë moment. Sipas pamjes së fillimit të urës, e kemi parë që toka është çarë diku 15 cm dhe këtë e kemi vërejtur.”, - deklaroi këshilltari në komunën e Studeniçanit, Avni Bilalli.
 
“Konstatuam bashkërisht që këtë urë tani ta ndalojmë për qarkullim dhe menjëherë në orët e hershme të mëngjesit kemi bërë një analizë nga ekspertët dhe sipas tyre duhet  të bëhen disa sanime të vogla.”, - theksoi kryetari i komunës së Studeniçanit, Azem Sadiku.
 
Dëme kanë pësuar edhe shtyllat elektrike afër lumit, sepse janë zhveshur nga dheu që i mban në këmbë. Banorët kanë thirrur ekipet e EVN-së që të ndërmarrin masa, sepse mundësitë janë të mëdha që këto shtylla të rrezohen, me çka rrezikojnë jetën e banorëve.
 
Banorët e fshatit me vetiniciativë gjatë gjithë natës janë përpjekur që me ekskavatorë ta zgjerojnë shtratin e lumit për të parandaluar përhapjen e përmbytjeve. Ndërsa, aktualisht kanë thirrur ekipe që të tërheqin drunjtë e rrëzuar brenda lumit, pasi ndryshojnë rrjedhën e tij dhe mbeturinat që ngecin nëpër drunj mund të shkaktojnë përmbytje të tjera.
 
FARIJE DAUTI BAKIJU