QMK për vërshimet: Janë përmbytur shtëpi, objekte industriale

03.04.2025 12:01

Për shkak të derdhjes së lumit Markovë janë vërshuar shtëpi...

Për shkak të derdhjes së lumit Markovë janë vërshuar shtëpi, depo dhe objekte industriale në Studeniçan, Batincë, Pinti dhe Lisiçë të Epërme, bëjnë të ditur nga Qendra për Menaxhim me Kriza.

Sipas të dhënave të QMK-së, në komunën e Aerodromit është raportuar për përmbytje të depove dhe dëmtim të rrugës në bulevardin “Kuzman Josifovski - Pitu”. Ura mes Lisiçes së Epërme dhe të Poshtme është e hapur vetëm për automjete të lehta.

Në komunën e Kisella Vodës janë dëmtuar 110 koloni bletësh dhe koshere, është përmbytur edhe një sallon i mobileve në bulevardin “Boris Trajkovski”, si dhe ka rrëshqitje të masës së drurit në kanalet afër Draçevës.

Komuna e Studeniçanit ka raportuar për vërshime të objekteve në Batincë, si dhe është dëmtuar edhe një depo.

Në komunën e Çuçer Sandevës, pas kontrollit ura për në Kuçevishtë nuk paraqet rrezik.

Në numrin e vetëm të urgjencës në 24 orët e fundit janë regjistruar gjithsej 1.766 thirrje, nga të cilat 61.55% janë thirrje “reale” dhe 38.45% janë evidentuar si thirrje për nevoja të tjera jo urgjente të qytetarëve.