“Zbulimi sekret”, Toshkovski: Luftë joselektive kundër kriminelëve

03.04.2025 14:12

Ende nuk dihet se si, në çfarë mënyre...

Ende nuk dihet se si, në çfarë mënyre, forme dhe rrethana ka përfunduar sekreti zyrtar në duart e sigurimit të kryeministrit, Hristijan Mickoski.

Për shkak të hetimit dhe procedurave tashmë të ngritura ndaj anëtarit të sigurimit, Angel Saramakov, numri “një” i MPB-së, Pançe Toshkovski, nuk zbulon shumë detaje.

Thotë vetëm se ai dyshohet për veprën penale “zbulimi i sekretit zyrtar” dhe përbetohet se MPB-ja lufton në mënyrë joselektive kundër krimineleve në radhët e saj.

"Shumë kallëzime penale në të kaluarën janë ngritur kundër kriminelëve në radhët e MPB-së dhe e njëjta gjë është vepruar edhe në këtë rast. Departamenti i Kontrollit të Brendshëm, në kuadër të zhvillimit të hetimeve, pas informacioneve të marra në kuadër të këtij departamenti, ka njoftuar prokurorin publik kompetent, i cili është pajtuar dhe ka urdhëruar që po atë mbrëmje të ndërmerren veprime. Pas realizimit të aksionit në fjalë, ekskluzivisht nga Departamenti i Kontrollit të Brendshëm, janë kryer disa kontrolle tek zyrtarët policorë, gjatë së cilave janë gjetur prova të caktuara në lidhje me veprën e kryer penale.", - deklaroi ministri i Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski.

Në pyetjen nëse është i shqetësuar që ky rast ka ardhur pikërisht nga radhët e tyre, u përgjigj se jo vetëm ai, por se të gjithë në MPB janë të shqetësuar nga veprimi i Saramakovit. Qytetarët meritojnë të kenë polici që nuk i zhvatë ata.

“Të gjithë në MPB janë të shqetësuar kur shohin se një kriminel është fshehur me uniformë, pavarësisht nëse ajo uniformë është ceremoniale, taktike apo uniformë e veshur nga pjesëtarët e departamentit për sigurimin e pronës dhe personave. Qytetarët e Maqedonisë meritojnë një polici që do t'i mbrojë ata, jo një që do t'i zhvatë.", - theksoi ministri i Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski.

Këto komente, Toshkovski i bëri pas përfundimit të debatit publik kushtuar javës së këmbësoreve të mbajtur në Idrizovë të Shkupit.

Përndryshe, Angel Saramakovit tashmë i është caktuar masa e paraburgimit 30-ditorë. Ai ishte i punësuar në drejtorinë e 6-të të MPB-së tashmë vite me radhë. (Rexhep Qamili, TVM2)