Tarifat e ShBA-së nxisin reagime në botë

03.04.2025 14:44

ShBA-ja i ka shpallur një luftë historike tregtare botës...

ShBA-ja i ka shpallur një luftë historike tregtare botës. Ajo prezanton një tarifë bazë prej 10 për qind për importet nga të gjitha vendet dhe tarifa edhe më të larta për 60 të tjerë, përfshirë Maqedoninë e Veriut, prej 33 për qind.

Produktet nga BE-ja do t'i nënshtrohen një takse doganore prej 20%. Presidenti amerikan, Tramp, njoftoi tarifat që ai pretendon se do të rilindin industrinë amerikane dhe do ta pasurojnë vendin.

"Deficitet kronike tregtare nuk janë më vetëm një problem ekonomik. Ato janë një emergjencë kombëtare që kërcënon sigurinë dhe mënyrën tonë të jetesës, një kërcënim shumë i madh për vendin tonë. Dhe për këto arsye, ne po zbatojmë tarifa reciproke ndaj kombeve të tjera. Është koha për ta bërë Amerikën të pasur përsëri! Punëtorët dhe bizneset tona janë viktimizuar nga grabitqarët e huaj, por kjo përfundon sot.", - deklaroi presidenti i ShBA-së, Donald Tramp.

Praktikat e reja tregtare të Uashingtonit kanë goditur veçanërisht Kanadanë, Meksikën dhe Kinën.

Masat parashikojnë tarifa shtesë prej 34 për qind për të gjitha produktet kineze, përveç 20 për qind të vendosur tashmë.

Nga dita e enjte do të fillojë dogana 25 për qind për të gjitha makinat e importuara nga jashtë. Ankthi po rritet, reagimet nuk po zbehen.

Kina ka shpallur kundërmasa vendimtare, Kanadaja do të luftojë me të gjitha forcat e saj dhe Australia është e zemëruar dhe kërkon negociata.

Ka reaguar edhe Brukseli, duke paralajmëruar pasojat e tmerrshme në mbarë botën. Makroni thërret një takim krize me bizneset e prekura.

"Masat e ShBA-së ndërprenë artificialisht lidhjet e prodhimit dhe zinxhirit të furnizimit. Ajo vetëm thekson unilateralizmin, proteksionizmin dhe natyrën ngacmuese të masave të ShBA-së.", - theksoi zëdhënësi i Ministrisë së Tregtisë i Kinës, He Jadong.

“Është thelbësore të veprojmë me qëllim dhe forcë dhe kjo është ajo që ne do të bëjmë.”, - u shpreh kryeministri i Kanadasë, Mark Karnej.

"Ky nuk është një akt miqësie. Kjo do të rrisë pasigurinë në ekonominë globale dhe do të rrisë kostot për familjet amerikane. Ne nuk do t'i bashkohemi një gare deri në fund që çon në çmime më të larta dhe rritje më të ngadaltë.", - deklaroi kryeministri i Australisë, Antoni Albanese.

"Pasojat do të jenë të tmerrshme për miliona njerëz në mbarë botën. Unë pajtohem me Trampin se rregullat aktuale po abuzohen në mënyrë të padrejtë dhe jam gati ta mbështesë atë në funksionimin e sistemit tregtar global. Ne kemi qenë të gatshëm që nga fillimi për të negociuar, për të hequr barrierat e mbetura për tregtinë transatlantike, por në të njëjtën kohë, ne jemi gati të përgjigjemi.", - theksoi presidenti i Komisionit Evropian, Von der Lejen.

Trampi mori një qortim edhe nga Senati amerikan. Demokratët morën mbështetje nga disa republikanë. Ata miratuan një rezolutë që bojkoton presidentin nga vendosja e tarifave ndaj Kanadasë.

Analistët paralajmërojnë se masa e rrezikshme e Trampit kërcënon të zhysë ekonominë në recesion dhe të shkatërrojë aleancat dekada të vjetra. Aksionet globale kanë parë tashmë një rënie të madhe. (Abibe Qaili, TVM2)