Maqedoni

Kuvend, pyetjet e deputetëve: Në fokus, tragjedia në Koçan

03.04.2025 15:50

Seanca e sotme e Kuvendit ishte e garantuar për pyetjet e deputetëve të opozitës...

Seanca e sotme e Kuvendit ishte e garantuar për pyetjet e deputetëve të opozitës, drejtuar Qeverisë. I gjithë diskutimi u zhvillua në drejtim të zbardhjes së tragjedisë së madhe në Koçan, ku pozita dhe opozita drejtuan akuza dhe kundërakuza në drejtim të njëra-tjetrës për lëshime apo veprime në aspektin e drejtësisë selektive.
 
Deputeti i Bashkimit Demokratik për Integrim, Blerim Bexheti, fillimisht pyeti kryeministrin se në çfarë cilësie thotë se dikush është apo nuk është fajtor pa fol drejtësia.
 
“Në një shtet ku funksionon ligji, kryeministër, roli i Qeverisë dhe i MPB-së është që të shërbejnë si organe mbështetëse për hetimet dhe jo të marrin përsipër rolin e hetuesve, prokurorëve dhe gjykatësve. Në këtë rast kemi parë një ndërhyrje të pashembullt nga niveli më i lartë i Qeverisë, e cila pa pritur konstatimet e ekspertëve ligjore, ka shpallur publikisht fajësinë e disa individëve, por në çfarë cilësie e thoni këtë dhe a keni ju kompetencën ligjore që të përcaktoni fajin e dikujt, para se të flas Prokuroria dhe Gjykata?!”, - deklaroi deputeti i BDI-së, Blerim Bexheti.
 
“Hetimet janë në vijim e sipër, ku Prokuroria Publike do të dalë me qëndrim se a thua vallë personat të cilët janë siguruar ka dyshime për kryerjen e veprës penale apo jo, unë askënd deri më sot nuk kamë gjykuar. Ndërsa kur them se ka licencë të falsifikuar, atë nuk e kam konstatuar unë, por licencën e ka treguar pronari i diskotekës, dhe ai numër nuk korrespondon te Ministria e Ekonomisë. Ta lëmë gjyqësorin ta bëjë punën, deri në fund nuk dihet, ndoshta edhe unë do të jem i dyshuar, ndoshta edhe ministri Toshkovski.”, - theksoi kryeministri i RMV-së, Hristijan Mickoski.
 
Ndërsa deputeti tjetër i BDI-së, Talat Xhaferi, kishte pyetje deri tek ministri i MPB-së, Pançe Toshkovski, të cilin e pyeti a keni pasur dijeni për veprimtaritë e paligjshme të këtyre diskotekave.
 
“Pyetja për ju është ministër! A jeni në dijeni për raportet operative ditore që kanë ardhur në ministri, nëse keni pasur qasje në ato raporte, a keni pasur njohuri për rastet që funksionojnë në mënyrë të paligjshme apo nuk keni pasur njohuri?! Nëse keni pasur njohuri, çfarë keni ndërmarrë, nëse nuk keni pasur njohuri çfarë do të ndërmerrni kundrejt atyre që nuk ju kanë informuar?!”, - u shpreh deputeti i BDI-së, Talat Xhaferi.
 
“E kuptoj pyetjen tuaj në drejtim të thirrjes së përgjegjësisë morale nga ana ime dhe unë para gazetarëve thash se po ndjej përgjegjësinë morale, por pyetja është a thua vallë të gjithë ju që jeni këtu, e të cilët keni qenë mbi 20 vite në pushtet a ndjeni përgjegjësi morale?! Por, ky moral nënkupton që unë e kam për obligim, që këtë rast ta zbardhi ashtu siç na ka hije si shtet dhe jo si në kohën tuaj. Ti dhe shokët tuaj të partisë, duhet ta pyesni vetën, se a ndjeni ju përgjegjësi morale, që e latë këtë sistem jofunksional, të korruptuar.”, - deklaroi ministri i MPB-së, Pançe Toshkovski. 
 
Pyetje për rastin në Koçan kishte edhe nga deputetët e LSDM-së, të cilat u drejtuan drejt Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe kryeministrit Mickoski, nga të cilët kërkuan dorëheqje.  
 
FITIM KRYEZIU