Maqedoni
Pas përmbytjeve në fshatin Batincë filloi pastrimi i shtratit të lumit Mark
03.04.2025 16:08
Pas vërshimeve në fshatin Batincë, ku u përmbytën dhjetëra shtëpi...

Pas vërshimeve në fshatin Batincë, ku u përmbytën dhjetëra shtëpi, ka filluar pastrimi i shtratit të lumit Mark. Sipas kryetarit të komunës së Studeniçanit, bëhen përgatitje për parandalimin e ndonjë përmbytje tjetër, pasi meteorologët kanë paralajmëruar reshje shiu.
Sadiku kërkon nga qytetarët të bashkëpunojnë dhe të mos hedhin mbeturina në lum, sepse sipas tij, përgjegjësia nuk është vetëm e komunës, por edhe e njerëzve të papërgjegjshëm. Kështu mendojnë edhe një pjesë e qytetarëve.
“Prej mëngjesit kemi angazhuar makineri që fillimisht t’i pastrojnë lumenjtë, eventualisht nëse ka reshje, sepse parashikimet tregojnë që do të ketë reshje shiu dhe këtë e bëjmë që së paku mos të dalë nga shtrati. Është mirë që ky rast të na vetëdijesojë të gjithëve, që të mos hedhim mbeturina, sidomos përreth lumenjve, sepse ajo mund të na hakmerret të gjithëve dhe mund të pësojmë shumë.”, - deklaroi kryetari i komunës së Studeniçanit, Azem Sadiku.
“Uji, që u përhap majtas e djathtas rrjedhës normale, ndodhi për shkak se shtrati i lumit është ngushtuar shumë nga ata që ndodhen afër lumit, uzurpojnë hapësirën, hedhin lloj-lloj mbeturinash dhe normalisht shtrati do të ngushtohet dhe nuk e mban ujin, do të derdhet anësh. Fatkeqësisht askush nuk pastron, askush nuk prek gjë të heqë diçka. Plus asaj jemi fajtorë edhe ne qytetarët, sepse unë i shoh, jam në udhëkryqin kryesor, vijnë natën me mauna hedhin gjithçka, jorgane, jastëkë, dyshekë, krevate, etj.”, - tha një banor i fshatit Batincë.
“Deponinë e kemi asnjë kilometër larg në vijë ajrore dhe për t’i hedhur mbeturinat, atje nuk kemi kushte. Nuk pastrohen çdo javë dhe nuk vijnë të pastrojnë çdo javë. Por, këtu ka edhe disa probleme të tjera, nuk janë vetëm mbeturinat.”, - tha një banor tjetër i fshatit Batincë.
Shtrati i lumit Mark para 15 vitesh nuk ka qenë në këtë vend, por ka qenë 20 metra më larg. Sipas banorëve, afaristët e fshatit i kanë uzurpuar tokat buzë lumit, hedhin mbeturinat në lum dhe dalëngadalë e kanë zhvendosur shtratin afër vendbanimeve.
“Kompanitë dhe afaristët janë problemi më i madh, ata kanë kamionë dhe i hedhin më tepër në lumë, sidomos kompanitë e ndërtimit, që rrënojnë e ndërtojnë objekte dhe pastaj mbeturinat i hedhin aty.”, - u shpreh një banor i fshatit Batincë.
“Ato prej andej kanë koncesione. Janë disa kompani që kanë leje që të shfrytëzojnë tokat e shtetit dhe ata e kanë ndryshuar rrjedhën e lumit. Çdo vit hedhin mbeturina në shtratin e lumit dhe shtrati ngadalë është zhvendosur më afër vendbanimeve, por edhe është ngushtuar shumë.”, - u shpreh një banor tjetër i fshatit Batincë.
Kryetari i komunës është i njoftuar për këtë problem dhe tha se do të marrë masa.
“Ua kemi tërhequr vërejtjen, pasi shumë pronarë që kanë toka afër lumit, ata mundohen që ta ngritin nivelin e dheut dhe ta nivelizojnë me rrugën rajonale. Kështu i shkaktojnë problem pjesës tjetër të vendbanimit. Do të marrim masa si komunë dhe do të bëhemi më të rreptë.”, - deklaroi kryetari i komunës së Studeniçanit, Azem Sadiku.
Iniciativa për pastrimin e lumit është ndërmarr nga afaristët vendas në bashkëpunim me komunën.
FARIJE DAUTI BAKIJU
