Maqedoni

Takimi Mickoski – Filipçe, BDI: Qeveria po merr formë monoetnike

03.04.2025 16:26

Partitë politike rreshtohen me reagime ndaj takimit mes Mickoskit dhe Filipçes...

Partitë politike rreshtohen me reagime ndaj takimit mes Mickoskit dhe Filipçes. BDI thotë se paralajmërimet e tyre për dominim monoetnik të Qeverisë po marrin formë të dukshme. 
 
“Në skenën publike do të na demonstrohet koalicioni monoetnik, që ka për qëllim thelbësor të riformatojë modelin politik të shtetit – nga një demokraci multietnike, në një demokraci monoetnike. Edhe pse në opinion do të prezantohen pika të tjera, na lejoni t’ju prezantojmë rendin e ditës së takimit të sotëm – atë që nuk do ta dëgjoni në publik: Mosndëshkueshmëria dhe largimi i shqiptarëve nga të gjitha vendimmarrjet politike.”, thuhet në komunikatën e BDI-së.
 
BDI i bën thirrje gjithë spektrit politik dhe jo politik shqiptar në vend, përfshirë edhe liderët e koalicionit VLEN, që së bashku ose secili veçmas, të shprehin qartë dhe fuqishëm revoltën ndaj këtij tentimi, për siç thonë, riformatim të shtetit. 
 
VLEN: S’ka plane antishqiptare, BDI mos të ketë frikë
 
Ndërkohë, VLEN-i me kundërpërgjigje ndaj Bashkimit Demokratik për Integrim.
 
“Si të përkëdhelurit e LSDM-së, kjo klikë e humbur e BDI-së qartazi nuk mund ta kapërdijë dot faktin se Venko Filipçe po i braktis në mes të rrugës. Më në fund duhet ta kuptojnë se pikërisht për shkak të sundimit të tyre të zhytur në krim, VMRO-DPMNE fitoi 58 deputetë në zgjedhjet parlamentare të vitit të kaluar. Në vend që të merren me shpifje dhe sulme ndaj koalicionit VLEN, ne edhe njëherë i ftojmë publikisht të ndalin përhapjen e gënjeshtrave dhe manipulimeve.”, thuhet në komunikatën e koalicionit VLEN.
 
Partneri qeverisës shqiptar shton se nuk ka plane publike apo sekrete për të larguar shqiptarët nga askund, por se ka vetëm frikë patologjike të BDI-së nga përgjegjësia para drejtësisë për ish-zyrtarët e tyre, të cilët sipas tyre, për dekada u pasuruan mbi shpinën e popullit shqiptar.
 
NERMIN MULAKI FEJZULLAHU