Botë
Kurti, takime me deputetët e komuniteteve, disa prej tyre kushtëzojnë votën me kërkesa
03.04.2025 16:51
Pasi presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka caktuar për 15 prill seancën konstitutive të Kuvendit...

Pasi presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka caktuar për 15 prill seancën konstitutive të Kuvendit, kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, në cilësinë e partisë fituese të zgjedhjeve të 9 shkurtit ka nisur takimet me partitë e minoriteteve jo serbe për të siguruar fillimisht votat për zgjedhjen e kryeparlamentarit, e më pas edhe të Qeverisë së re.
Disa nga deputetët e minoriteteve kanë shprehur gatishmëri për t’u bërë pjesë e Qeverisë Kurti tre, por ka pasur edhe nga ata që e kanë kushtëzuar votën e tyre me plotësimin e disa kërkesave.
“Për kërkesa unë fola disa herë, është komuna e boshnjakëve, është reforma në arsim dhe tretmani i barabartë me të gjithë deputetët të cilët kanë nga një vote në Kuvend.”, - deklaroi kryetarja e Unionit Socialdemokrat, Duda Balje.
“Kemi folur për disa gjëra që janë shumë të rëndësishme për komunitetin boshnjak, p.sh. kur është në pyetje komuna e boshnjakëve.”, - theksoi Rasim Demiri nga koalicioni “Vakat”.
“E dorëzuam një program të partisë që e kemi pasur gjatë fushatës, që janë nevojat e komunitetit dhe ka mbetur ditëve në vijim të kemi takime përsëri dhe të shohim se sa do të mundim të finalizojmë.”, - u shpreh kryetari i Partisë Liberale Egjiptiane, Veton Berisha.
“Kemi pasur një takim jashtëzakonisht të mirë, konstruktiv dhe të hapur, kështu që ne kemi parashtruar kërkesat tona. Njëra prej tyre, kryesorja ka qenë që pasi ne jemi të përfaqësuar në Kuvendin e Republikës së Kosovës me një deputet që të trajtohemi të barabartë dhe në mënyrë të denjë me të gjitha subjektet tjera politike, që janë me një vijë me ne.”, - deklaroi kryetari i Partisë së Romëve të Bashkuar, Albert Kinolli.
Në zgjedhjet e 9 shkurtit, Lëvizja Vetëvendosje ka rezultuar partia e parë me 48 deputetë, ndërsa për formimin e Qeverisë së re duhet t’i sigurojë përkrahjen e 61 deputetëve.
Partitë e pakicave jo serbe kanë 10 deputetë, ndërsa Kurti mund të llogarisë edhe në votën e deputetit serb, Nenad Rashiq, i cili nuk është pjesë e Listës Serbe. Gatishmëri për t’u bërë pjesë e Qeverisë ka shprehur edhe Nisma e Fatmir Limajt, e cila ka fituar tre deputetë.
PDK-ja, e cila ka dalë parti e dytë me 24 deputetë, po ashtu ka shprehur interesim për të marrë mandatin për formimin e Qeverisë së re, e cila do të drejtohej nga Bedir Hamza, nëse do të dështonin përpjekjet e partisë fituese, përkatësisht kryeministrit në detyrë, Albin Kurti.
GYLTENE SINANI
