Maqedoni

Takimi Mickoski – Filipçe, do të formohen grupe të punës

03.04.2025 18:00

Kryeministri, Hristijan Mickoski, dhe kryetari i LSDM-së, Venko Filipçe...

Kryeministri, Hristijan Mickoski, dhe kryetari i LSDM-së, Venko Filipçe, dakordohen për formimin e grupeve të punës në zbatimin e agjendës reformuese, fillimisht në pjesën e gjyqësorit, energjetikës dhe projekteve në shëndetësi.
 
Takimi i realizuar sy më sy në pallatin e Qeverisë,  sipas Filipçes ishte konstruktiv dhe duhet të përçojë porosinë e unifikimit për të mirën e shtetit. Parashikohet të formohen më shumë grupe pune për fusha të ndryshme.
 
“Tani do të emëroj disa ekspertë të fushës së gjyqësorit dhe energjetikës, të cilët do të përfshihen në përpilimin e ligjeve, pjesë e agjendës reformuese dhe duhet të mbërrijnë në Kuvend. Ky ishte takim ndërpartiak. Absolutisht se të gjitha partitë do të ftohen për përfshirje. Në bazë të modelit preliminar të cilin do ta përpilojmë, presim që të gjitha partitë të ulen në tryezë.”, - deklaroi kryetari i LSDM-së, Venko Filipçe.
 
Filipçe mohon pretendimet e BDI-së se takimi ishte i karakterit monoetnik. Thotë se në vijim mund të ketë takim liderësh, ku në tryezë do të jenë prezent gjitha partitë. Për kryeministrin është më se e nevojshme konsensusi për çështjet kyçe të shtetit, duke mobilizuar të gjitha strukturat e avancuara për të zhvilluar shtetin. Mickoski ka kërkuar konstruktivitet nga Filipçe.
 
“Interesat shtetërore duhet të jenë pikënisje e bisedimeve për çdo çështje. Mickoski ka kërkuar nga Filipçe të jetë faktor konstruktiv në përcaktimin e tij për ndryshime, reforma dhe përparim. Nevojiten reforma rrënjësore të sistemit.”, thonë nga kabineti i kryeministrit, Hristijan Mickoski, pas takimit me Filipçen.
 
Në takim është folur edhe për ndryshimet kushtetuese. Filipçe u shpreh se ka qëndrime ndryshe nga Mickoski. Për përfshirjen e bullgarëve në Kushtetutë, kryeministri ka kërkuar të flitet në takim tjetër.
 
MERAL ISMAILI