Tarifa ndaj mallrave amerikane, Osmani: Të hiqet taksa prej 10%
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani...

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, i ka kërkuar Qeverisë që të pezullojë taksën prej 10%, që Kosova e ka të vendosur ndaj mallrave amerikane. Kjo kërkesë e Osmanit vjen pas vendimit të administratës Tramp për vendosje të tarifës 10% për të gjitha importet në ShBA, përfshirë edhe Kosovën.
“Zyrtarisht i kërkova Qeverisë së Kosovës që të pezullojë tarifat e importit për të gjitha produktet amerikane – një hap i rëndësishëm për të thelluar lidhjet ekonomike me aleatin tonë më të ngushtë dhe për të dërguar një mesazh të qartë: Kosova është e gatshme për një marrëdhënie më të fuqishme me Shtetet e Bashkuara, me një vizion të qartë që do t’i bënte të dyja vendet tona më të forta, më të sigurta dhe më të begata.”, vlerëson presidentja, Osmani.
PDK: Cenon lidhjet me aleatin tonë kryesor
Edhe nga PDK-ja opozitare kanë kërkuar që Qeveria e Kosovës të veprojë pa vonesa në heqjen e tarifës prej 10% ndaj mallrave të ShBA-së.
“Për Kosovën, partneriteti me Shtetet e Bashkuara të Amerikës përfaqëson një bosht strategjik dhe ekonomik të pazëvendësueshëm-shumë më të rëndësishëm sesa pesha që ka tregu i Kosovës për ekonominë amerikane. Në këtë kontekst, mbajtja e tarifës prej 10% ndaj produkteve amerikane nuk ka domethënie ekonomike, e aq më pak arsyetim politik. Në këtë moment ajo dëmton drejtpërdrejt interesat afatgjata të shtetit të Kosovës dhe cenon lidhjet me aleatin tonë kryesor.”, ka theksuar Bernard Nikaj nga PDK.
Murati: Marrëveshje të tregtisë së lirë
Por, ministri i Financave, Hekuran Murati, ka sqaruar se Kosova është e interesuar për marrëveshje të tregtisë së lirë me ShBA-në.
“Fatmirësisht, Kosova bën pjesë në grupin e shteteve që u është vendosur shkalla tarifore minimale prej 10%. Marrë parasysh edhe vëllimin e vogël tregtar që kemi, impakti financiar i pasjes apo jo të një regjimi tarifor ka ndikim të vogël në ekonominë tonë. Gjithsesi, si partnerë e aleatë të përhershëm, synimi ynë është që të rritet vëllimi i këmbimit tregtar, dhe e mbështesim plotësisht parimin e presidentit Tramp për tregti të lirë e pa barriera dhe korrekte. Kjo mund të arrihet përmes një marrëveshjeje për tregti të lirë.”, thuhet në reagimin e ministrit, Murati.
Ai ka potencuar se që në prill të vitit 2023, gjatë vizitës në Uashington, bashkë me zëvendëskryeministrin, Bislimi, kanë takuar përfaqësues të Departamentit të Tregtisë, me të cilët është diskutuar ndër tjera edhe tema e një marrëveshjeje për tregti të lirë me ShBA-në. (Gyltene Sinani, TVM2)
