Tragjedia në Koçan, viktima e 60-të, ndërroi jetë pacienti në Lituani, ndërpritet procedura hetimore ndaj Karadakoskit
04.04.2025 14:56
Mëngjesin e sotëm është shënuar viktima e 60-të nga tragjedia e shkaktuar...

Mëngjesin e sotëm është shënuar viktima e 60-të nga tragjedia e shkaktuar nga zjarri në Koçan. Bëhet fjalë për 35-vjeçarin, Aleksandar Karadakoski, i cili me djegie të rënda u dërgua për trajtim në Lituani, por pas përkeqësimit të gjendjes shëndetësore, nuk arriti t’i mbijetojë pasojave nga djegia.
Ministri i Shëndetësisë, Arben Taravari, theksoi se edhe 3-4 pacientë te tjerë janë në gjendje më kritike, ndërsa rreth 15 pacientë janë akoma të intubuar.
“Njëri prej 116 pacientëve, të cilët i dërguam jashtë shtetit, në mëngjes ka ndërruar jetë. Ishte pacient 35-vjeçar, i cili ishte i vendosur në Lituani, praktikisht ishte prej këtyre 4-5 pacientëve më kritik, ishte në gjendje më kritike, më të vështirë. Prej datës 1 prill ishte i vendosur në dializë, pasi që filluan të mos i funksionojnë edhe veshkët. Ka pasur plagë në trup, mbi 40% të trupit të djegur, që ka lënë hapësirë për t’u paraqitur infeksionet. Praktikisht arsyeja ishte infeksioni, i bënte dëm edhe në frymëmarrje. Prej 2 prillit ka qenë me oksigjen 40%.”, - deklaroi ministri i Shëndetësisë, Arben Taravari.
Aleksandar Karadakoski si drejtues i kabaresë "Puls" në Koçan ishte në mesin e 34 të dyshuarve nga Prokuroria.
Pas njoftimit zyrtar për vdekjen e tij, Prokuroria Publike ka ndërprerë procedurën ndaj tij.
"Duke qenë se viktima e sotme e 60-të e zjarrit katastrofik në Koçan është një person, i cili paraprakisht ishte përfshirë me urdhër për zhvillimin e procedurës hetimore, në cilësinë e menaxherit të personit juridik, Prokuroria Themelore Publike Koçan, pas marrjes së dokumentacionit zyrtar për shkakun e vdekjes, do të lëshojë urdhër për ndërprerjen e procedurës hetimore ndaj tij.".
Nga shpërthimi i zjarrit në Koçan humbën jetën 60 persona, ndërsa rreth 200 të tjerë mbetën të lënduar. Për zbardhjen e rastit prokuroria publike ka angazhuar 11 prokurorë. (Florije Kamberi, TVM2)
