Maqedoni

Takimi Mickoski – Filipçe, BDI: A po bëhet modelimi një etnik i shtetit?

04.04.2025 15:49

BDI ngre pikëpyetje të shumta pas mungesës së partive...

BDI ngre pikëpyetje të shumta pas mungesës së partive shqiptare në takimin Mickoski – Filipçe. Ata pyesin nëse shqiptarët janë spektatorë në shtet, duke humbur fuqinë e vendimmarrjes. Madje integrsitët druajnë se po niset riformatimi i modelit kushtetues, i bazuar në Marrëveshjen e Ohrit. Nuk mungojnë as dyshimet për zhvillimet në prapaskenë, faljen e fajtorëve të vërtetë të tragjedisë në Koçani.  
 
“A është “marrëveshja e re shoqërore” një vazhdimësi e koalicionit të oligarkisë Mickoski – Zaev? A përfaqëson kjo iniciativë fillimin e një riformatimi post-Ohër të modelit kushtetues të Maqedonisë së Veriut? Shqiptarët a po përjashtohen nga proceset thelbësore të vendimmarrjes? A është në këtë kuadër duke u diskutuar edhe mbrojtja e ndërsjellë nga përgjegjësia politike dhe ligjore – një lloj pakti joformal për mosndëshkim – për tragjedinë në Koçan, përballë tragjedisë së spitalit modular në Tetovë?” pyesin nga BDI.
 
Filipçe: Nuk bëjmë politika etnike
 
Kryetari i LSDM-së, Venko Filipçe, mohon që LSDM të bëjë politika përçarëse në baza etnike dhe fton të gjitha partitë në takim liderësh.
 
“Periudhën që vijon duhet të vazhdojmë me organizimin e takimit të liderëve të kryetarëve të të gjitha partive të mëdha politike. Kjo është edhe një thirrje e imja deri tek të gjithë, përfshirë këtu edhe partitë e bllokut shqiptar. Nuk e shoh të nevojshme të ndahemi në parti të bllokut maqedonas dhe shqiptar kur flitet për interesin e shtetit. Në komitetin ekzekutiv të LSDM-së ka shqiptarë, maqedonas myslimanë dhe së shpejti do të jetë edhe një rome. Ne jemi parti multietnike dhe askush nuk e ka të drejtën të na fajësojë për politika etnike dhe nacionaliste.”, - theksoi kryetari i LSDM-së, Venko Filipçe.
 
BDI ka pyetur edhe koalicionin VLEN nëse është përfillur nga Mickoski për takimin e zhvilluar. Nga VLEN-i janë shprehur se nuk ka plane sekrete për të larguar shqiptarët nga askund dhe se gjitha këto janë spine politike të opozitës shqiptare.
 
MERAL ISMAILI