Maqedoni

Ligji për përfaqësim të drejtë, në përpunim, Minçev: Pritet dërgimi në Komisionin e Venedikut

04.04.2025 16:07

Ligji i ri për përfaqësim të drejtë është në fazë të përgatitjes nga një grup ekspertësh...

Ligji i ri për përfaqësim të drejtë është në fazë të përgatitjes nga një grup ekspertësh të së drejtës kushtetuese, dhe siç parashikohet, drafti fillestar pritet të dërgohet për vlerësim në Komisionin e Venedikut përpara se të procedohet në Kuvend, njoftoi ministri i Administratës Publike, Goran Minçev.
 
Qëllimi i këtij ligji është të sigurojë përfaqësim të drejtë dhe të barabartë të komuniteteve etnike në institucionet shtetërore, në përputhje me Marrëveshjen e Ohrit, e cila këtë përfaqësim e garanton si kategori kushtetuese. Minçevi, duke u përgjigjur për statusin e ligjit, theksoi se nuk është pjesë e grupit punues dhe për momentin nuk mund të japë detaje për përmbajtjen. 
 
“Siç e dini, në kuadër të Qeverisë është formuar një grup pune me ekspertë nga e drejta kushtetuese, i cili punon në përmbajtjen e Ligjit për përfaqësim të drejtë. Unë, si ministër, nuk jam pjesë e këtij grupi dhe për këtë arsye nuk mund të them në këtë moment se deri ku është përmbajtja e ligjit. Dua të theksoj se përfaqësimi i drejtë i komuniteteve etnike në shtet, sipas Marrëveshjes së Ohrit, është një kategori kushtetuese.”, - deklaroi ministri i Administratës Publike, Goran Minçev. 
 
Ai shtoi se përfshirja e ekspertëve është e rëndësishme për të siguruar që ligji të jetë i qëndrueshëm dhe të mos bie ndesh me Kushtetutën, siç ka ndodhur në të kaluarën me disa dispozita të ligjeve ekzistuese.
 
“Unë kam insistuar dhe është mirë që mbi këtë zgjidhje ligjore punojnë ekspertë, që të mos gjendemi sërish në të njëjtën situatë, në rast të ndonjë padie të mundshme në Gjykatën Kushtetuese dhe shfuqizimi të disa neneve nga ligji ekzistues. Ekspertët nga e drejta kushtetuese janë garanci që do të përgatitet një ligj i tillë, i cili në versionin e tij draft apo propozim do t’i dërgohet Komisionit të Venedikut dhe më pas do të procedohet në Kuvend.”, - theksoi ministri i Administratës Publike, Goran Minçev. 
 
Ligji i ri për përfaqësim të drejtë synon të rregullojë në mënyrë të qëndrueshme përfaqësimin e komuniteteve etnike në institucionet shtetërore, në përputhje me Kushtetutën dhe Marrëveshjen e Ohrit. 
 
FARIJE DAUTI BAKIJU