Maqedoni

Vdekja e Vedat Ademit, Taravari: T’i merret licenca mjekut

04.04.2025 16:25

Ministria e Shëndetësisë i ka propozuar Odës së Mjekëve...

Ministria e Shëndetësisë i ka propozuar Odës së Mjekëve, që t’i merret licenca mjekut, i cili dyshohet përgjegjës për vdekjen e 32-vjeçarit, Vedat Ademi, nga Kumanova, i cili ndërroi jetë më 17 mars në spitalin e përgjithshëm të Kumanovës.
 
Taravari thotë se Ministria i ka propozuar Odës së Mjekëve, që t’i merret licenca mjekut, si dhe materiali i mjekësisë ligjore është dërguar në Prokurori.
 
“Ministria veç më i ka propozuar Odës së Mjekëve për t’i marrë licencën mjekut që ka qenë atë natë kujdestar, gjithashtu komplet materiali edhe i mjekësisë ligjore është dërguar në Prokurori para një javësh.”, - deklaroi ministri i Shëndetësisë, Arben Taravari.
 
Tragjedia në Koçan, 5 pacientë dalin nga spitali
 
Ministri Taravari po ashtu informoi se gjendja e pacientëve që po trajtohen në spitalet e vendit është duke u përmirësuar dhe 5 pacientë lëshohen në shtëpi.
 
“Prej 193 pacientëve që u trajtuan dhe e kaluan tragjedinë e Koçanit mbeten vetëm 78 pacientë që trajtohen këtu në Shkup dhe jashtë vendit. Në Shkup janë 14 pacientë prej të cilëve 5 lëshohen në shtëpi se janë në gjendje të mirë dhe mbeten vetëm 9 pacientë që shërohen në Shkup nëpër spitale.”, - theksoi ministri i Shëndetësisë, Arben Taravari.
 
Ministri Taravari tha se 6 pacientë që u trajtuan jashtë vendit nga tragjedia në Koçan do të kthehen në vend, pasi që janë në gjendje stabile shëndetësore, ndërsa 69 mbeten për t’u trajtuar jashtë vendit dhe 3 pacientë ende janë në gjendje kritike.
 
VLORA LATIFI TOPOJANI