Maqedoni
Kuvendi studentor "UCM": Kërkojmë linja të reja, bileta të lira transporti
04.04.2025 16:43
Kuvendi studentor pranë Universitetit "Cirili dhe Metodi" ankohen për çmimet e larta...

Kuvendi studentor pranë Universitetit "Cirili dhe Metodi" ankohen për çmimet e larta me mbi 100 % të linjave të autobusit nga qytetet e tjera të vendit drejt kryeqytetit. Ata kërkojnë nga kompetentët që të zbatojnë Strategjinë Nacionale për të rinj, ku parashihet ulja e çmimeve të transportit me autobusë ndërurbanë për nxënësit e shkollave të mesme dhe studentët në të gjithë vendin, si dhe shtimin e linjave të autobusëve.
Sipas tyre, më lirë është një udhëtim drejt vendeve evropiane, sesa një udhëtim me autobusë në Strumicë, i cili u kushton mbi 1.300 denarë. Veç çmimeve të larta, në një numër të madh të qyteteve mungojnë edhe linjat e autobusit dhe biletat ardhje - vajtje.
“Studentët nga Kamenica e Maqedonisë, Dellçeva, Demir Hisari dhe Krusheva nuk kanë fare qasje deri te transporti ndërurban me të cilin do të mund të udhëtojnë në shtëpi dhe të kthehen në qytetin ku ndjekin studimet, pa gjetjen e alternativë tjetër për transport. Pas pandemisë, çmimi i naftës në mënyrë të dukshme u zvogëlua, por çmimet e biletave mbetën të njëjta.”, - deklaroi kryetarja e Komisionit për standardin e studentëve, Stefanija Milevska.
“Do të apelojmë deri tek Ministria e Transportit dhe Lidhjeve, që të ndërmarrë masa adekuate për këtë, pasi që është për të ardhur keq që në shekullin 21 të mos ketë asnjë linjë të rregullt, që do të udhëtojë të paktën deri në kryeqytet apo deri tek ndonjë qytet tjetër prej ku mund të gjendet transport tjetër.”, - theksoi kryetari i Kuvendit Studentor "Kirili dhe Metodi", Aleksandar Nikollovski.
Kuvendi studentor do t'u dërgojë kërkesë të gjithë transportuesve për të vendosur zbritje për studentët ose, së paku, për t'u pajisur me biletë vajtje-ardhje, dhe në qytetet universitare si Manastiri, Tetova, Shtipi, Ohri, për të ofruar transport urban falas për studentët.
FLORIJE KAMBERI
