Maqedoni
Takimi i vendeve anëtare të NATO-s, në fokus, Ukraina, siguria dhe stabiliteti
04.04.2025 17:37
Siguria globale, Ukraina, mbrojtja kolektive dhe forcimi i partneriteteve...

Siguria globale, Ukraina, mbrojtja kolektive dhe forcimi i partneriteteve, ndër temat kryesore të takimit dyditor të ministrave të jashtëm të NATO-s në Bruksel. Në një botë gjithnjë e më të rrezikshme, të gjithë duhet ta marrin pjesën e vet të angazhimit, tha në pres konferencë sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Mark Rute.
“Aleatët dëgjuan një mesazh shumë të qartë nga sekretari Rubio për angazhimin e ShBA-së ndaj NATO-s dhe gjithashtu një pritshmëri shumë të qartë se Evropa dhe Kanadaja duhet të marrin më shumë përgjegjësi për sigurinë tonë të përbashkët dhe të vazhdojnë të rrisin shpenzimet e mbrojtjes. Konsensusi nga diskutimet e këtyre dy ditëve është se ndërsa bota bëhet më e rrezikshme, ne kemi nevojë për NATO-n më shumë se kurrë. Dhe, ne jemi të bashkuar në angazhimin tonë ndaj njëri-tjetrit në këtë Aleancë.”, - deklaroi sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Mark Rute.
Aleatët e NATO-s janë partnerë që mund t’i tejkalojnë sfidat dhe dallimet, tha sekretari amerikan, Rubio, i cili vë theksin tek shtimi i fondeve të mbrojtjes.
“NATO-ja është më e fortë se kurrë. Ajo do të vazhdojë të bëhet më e fortë, sepse të gjitha vendet në NATO do të shpenzojnë më shumë para dhe do të kenë më shumë aftësi.”, - theksoi sekretari i ShBA-së, Marko Rubio.
Gjithçka që do të vendoset për Ukrainën do të bëhet nëpërmjet dakordimit me Kievin, tha shefja për Politikë të Jashtme dhe Siguri në BE, Kaja Kallas.
“U tha se në Ukrainë nuk do të ndodhë asgjë pa Ukrainën, ndërsa Evropa dhe Ukraina duhet të merren vesh për çka do që bisedohet.”, - u shpreh shefja e Diplomacisë së BE-së, Kaja Kallas.
Për nevojën e përforcimit të sigurisë dhe rritjen e mjeteve në këtë drejtim, pajtohet edhe ministri i Jashtëm, Mucunski.
“ShBA-ja me të drejtë absolute thotë se ne duhet ta marrim në tërësi përgjegjësinë për paqe dhe siguri. 5% ndoshta nuk mbërrihet gjatë natës, por ne duhet të vazhdojmë të investojmë në kapacitetet ushtarake dhe kjo është trajektorja pas së cilës duhet të lidhemi.”, - theksoi ministri i Jashtëm, Timço Mucunski.
Në takim është konkluduar vazhdimi i mbështetjes politike dhe praktike i NATO-s për Ukrainën, nëpërmjet komandës së aleancës dhe zyrës së saj në Ukrainë. Kievit nuk do t’i mungojë as mbështetja me financa, është konkluduar në takimin e ministrave të jashtëm të paktit veri-atlantik në Bruksel.
NERMIN MUALKI FEJZULLAHU
