Botë

Sulme ajrore ruse në vendlindjen e Zelenskit, njoftohet për 19 të vdekur dhe 50 të plagosur

05.04.2025 13:57

Të paktën 19 njerëz janë vrarë, përfshirë nëntë fëmijë, si pasojë e një sulmi raketor rus në një zonë banimi në qytetin Krivi Rih...

Të paktën 19 njerëz janë vrarë, përfshirë nëntë fëmijë, si pasojë e një sulmi raketor rus në një zonë banimi në qytetin qendror të Ukrainës, Krivi Rih, njoftoi presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky. Ky është njëri prej sulmeve më vdekjeprurëse të Rusisë në Ukrainë këtë vit. Sulmi në qytetin e lindjes së Zelenskyt, dëmtoi ndërtesat e banimit dhe shkaktoi zjarr, njoftuan autoritetet. Të paktën 50 njerëz u plagosën në këtë sulm, thanë shërbimet e emergjencës, duke shtuar se numri mund të rritet. Zelensky tha se operacionet për shpëtim janë duke vazhduar dhe u bëri thirrje SHBA-ve dhe vendeve perëndimore të ushtrojnë më shumë trysni ndaj Moskës.
 
“Besojmë se SHBA-të nuk do ti heqin sanksionet, por do të marrin masa për ashpërsimin e sanksioneve. Sulmet e përditshme janë dëshmi se nevoiten sanksione të fuqishme ndaj Putinit, kjo do ti detyrojë të ndalojnë.”, u shpreh presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky.
 
Ndërkohë Rusia pretendon se një ndërtesë industriale në rajonin e Mordovias në Rusi është goditur nga dronët e Ukrainës. Autoritetet lokale kanë thënë se është sulmuar një fabrikë e fibrave optike në qytetin Saransk, 820 kilometra larg nga kufiri me Ukrainën. 
 
Përpjekjet për paqe, Dmitriev: Ekipi i Trump ndaloi luftën e tretë botërore
 
Ndërkohë i dërguari special rus Dmitriev ka qëndruar në Uashington, ku ka theksuar se ekipi i presidentit Trump ka parandaluar luftën e tretë Botërore. Ai nuk ka përjashtuar mundësinë e garancive të sigurisë për Ukrainën por ka përjashtuar kategorikisht mundësinë që Ukrainë të bëhet anëtare e NATO-s. 
 
“Nuk ka dilema se ekipi i Trump jo vetëm që ka penguar luftën e tretë botërore por ka arritur përparim të theksuar në zgjidhjen për Ukrainën.”, u shpreh i dërguari special rus Kirill Dmitriev.
 
Rubio: Jemi në fazën kur duhet përparim konkret
 
Qëllimet e vërteta të Rusisë në bisedime do të qartësohen brenda disa javësh ka deklaruar sekretari amerikan i shtetit Rubio. 
 
“Së shpejti do të kuptojmë nga bisedimet e tyre nëse janë serioz për të vazhduar me masa të vërteta, apo nëse është taktikë për prolongim. Tani kemi arritur në fazën kur duhet përparuar.”, tha sekretari amerikan i shtetit Marko Rubio.
 
Franca dhe Britania kanë shprehur gatishmërinë për dërgimin e kontingjentit paqësorë evropian në Ukrainë, por detajet për një mision të tillë pritet të konfirmohen Brenda një muaji. 
 
VLORA LATIFI TOPOJANI