Maqedoni

LSDM: Vazhdojnë skandalet e sigurimit të zyrtarëve

05.04.2025 14:44

LSDM-ja opozitare me kritika ndaj ministrit të brendshëm Pançe Toshkovki...

LSDM-ja opozitare me kritika ndaj ministrit të brendshëm Pançe Toshkovki, duke theksuar se derisa ai është në krye të MPB-së po ndodh kaos në rrugët e vendit. Sipas LSDM-së është cënuar siguria ndërsa mungon rendi dhe kontrolli.
 
“MPB ka rënë në nivelin që të mos mund ta sanksionojë një xhip të parkuar keq. Skandali në Debar Maallo për të satën herë e konfirmoi mos funksionimin e MPB-së, si dhe e dëshmoi çoroditjen e stilit të kaubojve të sigurimit të zyrtarëve të shtetit. Dy pjesëtarë të policisë, sigurim i presidentes së shtetit, rrejshëm kanë deklaruar se vetura Porshe e parkuar keq e Sërxhan Kerimit është zyrtare. Ata kanë kërkuar që vetura Porshe e Kerim të mos merret nga merimanga dhe kanë nxitur mos ndëshkueshmëri.”, tha Bogdanka Kuzeska nga LSDM.
 
Sipas LSDM-së pas reagimeve të shumta të opinionit MPB u detyrua të ngris procedurë disiplinore. Sipas kësaj partie në nëntë muajt e fundit po radhiten skandalet me pjesëtarët e sigurimit të zyrtarëve shtetëror. Nga sigurimi i kryeministrit Mickoski njëri ka dhënë sekrete shtetërore, tjetri ka sulmuar policin duke e penguar aksionin kundër drogës. Sigurimi i Gashit bëri incident në aeroportin e Shkupit, duke nxjerrë armën dhe duke sulmuar polic. Ndërsa sigurimi i presidnetes është involvuar në skandalin në Debar Maallo. Kjo sipas LSDM-së nuk paraqet incidente të izoluara, por shkatërrim të aparatit të sigurisë. 
 
MPB: Procedurë disiplinore për dy pjesëtarë të policisë
 
Ndërkohë MPB bën të ditur se nga ana e Departamentit për kontroll të brendshëm, hetime kriminalistike dhe standarde profesionale, janë bërë kontrolle pas publikimit të një video incizimi në rrjetin social Fejsbuk më 4 prill 2025 dhe është ngritur procedurë disiplinore për dy policë të cilët rrejshëm pohuan se automjeti “Porshe” është zyrtar.
 
“Polici S.N., me veturë speciale “merimangë” dhe dy punonjës nga Ndërmarrja për Parking Publik të Komunës Qendër, kanë shkuar në vendin e treguar, ku është gjetur vetura dhe një grup i revoltuar qytetarësh kanë kërkuar që të merret vetura. Në vendin e ngjarjes dy persona të cilët janë identifikuar si punonjës policie kanë dalë nga një lokal dhe kanë thënë se automjeti është zyrtar. Oficeri i policisë S.N. i ka urdhëruar që menjëherë ta largojnë veturën dhe ta parkojnë në vend të përshtatshëm, pas së cilës është futur në kabinën e mjetit “spider” për të kontrolluar nëse mjeti është vërtet zyrtar. Pasi ka konstatuar se automjeti nuk është zyrtar dhe se ende nuk është hequr, ka urdhëruar punonjësit e Parkingut Publik që ta marrin automjetin dhe më pas është transportuar në depo”, thuhet në njoftimin e MPB-së.
 
VLORA LATIFI TOPOJANI