Maqedoni

Ndryshimet në ligjin e mediave, ekspertët: Zgjidhja më e mirë do të ishte ligji i ri

05.04.2025 16:30

Propozim-ligji për ndryshime dhe plotësime të ligjit aktual për media ka hyrë në procedurë parlamentare....

Propozim-ligji për ndryshime dhe plotësime të ligjit aktual për media, përmes së cilës do të rregullohet statusi i mediave online, ka hyrë në procedurë parlamentare. Ekspertja për çështje mediatike, Snezhana Tërpevska, vlerëson se tregu jonë mediatik nuk ka nevojë vetëm për ndryshime dhe plotësime, por për miratimin e një zgjidhjeje të re ligjore gjithëpërfshirëse, përmes së cilës do të zgjidheshin njëherë e përgjithmonë problemet në sektorin e gazetarisë.
 
“ShGM dhe Sindikata e Pavarur e Punonjësve Mediatik kemi qëndrim të unifikuar. Duhej të punohej në përpilimin e tërësishëm të një zgjidhjeje të re ligjore, e jo në ndryshime dhe plotësime të ligjit ekzistues për media, ku përveç se në të do të kyçen mediat online, do të zgjidheshin edhe një sërë çështjesh tjera lidhur me përforcimin e statusit të gazetarëve dhe punonjësve të tjerë mediatik, ku do të kishin mbrojtje dhe siguri më të madhe të tyre nga sulmet, do të përforcoheshin pozicionet e redaksive dhe gazetarëve në kuadër të organizatave mediatike. Çështja kryesore që ne propozonim ishte, që të përfshihet dispozita për të krijuar një fond për pluralizëm, i cili do të ishte në drejtim të përforcimit të mediave në nivel lokal, të cilat janë profesionale, që janë më pak të zhvilluara, pasi që ne vlerësojmë se kjo ndikon në informimin më të vogël të qytetarëve në nivele lokale.”, u shpreh ekspertja për çështje mediatike, Snezhana Tërpevska.
 
Nga ShGM-ja thonë se të gjitha ligjet që rregullojnë punën e mediave dhe të gazetarëve duhet të jenë të përpunuara në mënyrë cilësore, profesionale nga të gjitha palët e përfshira dhe të njëjtat duhet medoemos të jenë në përputhje me standardet e KE-së dhe PE-së.  Rregullimi i butë i mediave online dhe njohja e portaleve, si media profesionale, përmes një regjistri të veçantë, siç parashikohet, është i mirëseardhur, thonë nga ShGM-ja, por nuk pajtohen me atë që mediat online të cilët do të dëshirojnë të kyçen në këtë regjistër, të kushtëzohen me numrin e caktuar  të personave të punësuar.    
 
“Çështje aktuale është po ashtu amendamenti i Ministrisë për Transformim Digjital, i cili parasheh regjistër online për mediat. Një pjesë e kolegëve dhe sektorit të gazetarisë vlerësojnë se është e mirë kjo ide dhe iniciativë që të kemi një lloj të rregullimit përmes së cilës do të plotësohet kjo hapësirë, e cila mbeti pa rregulluar. Nga ana tjetër, ata porositën se duhet pasur kujdes që ligji të mos jetë për dikë nënë e për tjetrin “njerkë”, respektivisht se ligji në fjalë nuk mund të përjashtojë disa media më të vogla në nivel lokal, sepse në njëfarë mënyre janë profesionale, meritojnë të jenë pjesë e regjistrit profesional të mediave online.”, tha drejtori ekzekutiv i ShGM-së, Dragan Sekullovski.
 
Tre javë më parë Qeveria miratoi projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për mediat, me të cilin portalet online do të njihen si media. Ky projektligj synon të forcojë konkurrencën në hapësirën mediatike dhe të zgjidhë problemet ekzistuese me portalet online, përmes vendosjes së një kornize ligjore që i njeh ato si të tilla, si dhe krijimin e rregullave të qarta për themelimin dhe regjistrimin e tyre.
 
REXHEP QAMILI