Maqedoni

Pjesëmarrja në zgjedhjet lokale, Taravari: Do të mundohemi të arrijmë marrëveshje me VLEN

06.04.2025 18:26

Kuvendi qendror i ASH-së së Arben Taravarit ka vendosur të angazhojë kryesinë e ngushtë partiake...

Kuvendi qendror i ASH-së së Arben Taravarit ka vendosur të angazhojë kryesinë e ngushtë partiake që të tentojë të gjejë gjuhë të përbashkët me koalicionin Vlen për pjesëmarrje të përbashkët në zgjedhjet lokale. Kështu ka bërë të ditur kreu i kësaj partie Arben Taravari, i cili nuk ka përjashtuar mundësinë që partia e tij të garojë edhe si e vetme në zgjedhje. Ai mohon zërat se ai është shkaktar i ndarjes së VLEN-it. 
 
“Duan të të stigmatizojnë se Arben Taravari është arsyeja që mund edhe të ndahet VLEN-i, aspak nuk është ashtu prandaj dua që këto zëra të demantohen, prandaj deri në maksimum do të mundohemi të arrijmë një marrëveshje por një marrëveshje e cila do të ishte motivuese edhe për anëtarësinë tonë edhe të LD-së edhe të Besës edhe Alternativës edhe përkrahësit e Vetëvendosjes këtu. Prandaj mundohemi me çdo kusht, sulmohemi prej disa qarqeve edhe brenda VLEN-it fatkeqësisht. Shifni rrjetet social ka pasur ndalesë në rrjetet sociale që gjysmë fjale të thuhet keq edhe për ata që na kanë ofendu.”, u shpreh kreu i AHS-së Arben Taravari
 
Sa i përket ofertës nga partitë e koalicionit VLEN, Taravari thotë se nuk janë të informuar se si ato I kanë ndarë kandidaturat mes vete.
 
“Na intereson të shohim si është ndarja, na intereson çfarë merr Besa, ku është alternativa ku është LD-ja, kjo është shumë e rëndësishme për ne. Gjithashtu edhe ne do të kemi dy ofertat tona unë mendoj se negociatat patjetër të vazhdojnë Ne ta japim maksimumin deri në fund po qe se mund të arrijmë marrëveshje të përbashkët për të dalur në zgjedhje si VLEN. Nëse nuk arrijmë ASH me listat për këshilltarë gjithsesi do të del vet. Për kryetar komunash e shohim ku kemi interes me VLEN-in ku kemi me ndonjë parti tjetër, e shohim.”, tha Taravari.
 
Taravari: Raportet me kryeministrin Mickoski korrekte
 
Sa i përket pjesëmarrjes në Qeveri Taravari thotë se me kryeministrin Mickoski raportet janë korrekte. 
 
“Ne jemi pjesë e Qeverisë, vazhdojmë ta japim kontributin tonë, nëse dikush mendon se nuk duhemi atje nuk e kemi problem aspak. Unë mendoj se me kryeministrin Mickoski kemi raporte korrekte. Besoj se do të vazhdojmë, në moment se e shohim që diçka nuk shkon si duhet atëherë e themi atë edhe publikisht dalim, nuk është kurrfarë problemi.”, u shpreh Taravari.
 
ASH e Taravarit: Rezulutë mbi tragjedinë në Koçan 
 
Njëherit Aleanca për Shqiptarët e Arben Taravarit në kuvendin partiak ka miratuar një Rezulutë, mbi tragjedinë në Koçan dhe domosdoshmërinë e llogaridhënies institucionale. Në Rezulutën prej 8 Pikash kërkohet: 
 
1. Kërkohet zhvillimi i një hetimi të plotë, të pavarur dhe transparent mbi tragjedinë në Koçan, nën drejtimin e institucioneve kompetente, të çliruara nga çdo ndikim politik, me detyrim për informim të rregullt dhe publik të qytetarëve për ecurinë dhe gjetjet e hetimit.
 
2. Kërkohet rihapja e hetimeve për tragjeditë e mëhershme, Durmo Turs, Besa Trans dhe Spitali Modular në Tetovë, të cilat së bashku kanë marrë jetën e 135 qytetarëve dhe për të cilat ende nuk është vendosur përgjegjësi institucionale apo individuale.
 
3. Kërkohet identifikimi dhe përcaktimi i qartë i përgjegjësisë, si individuale ashtu edhe institucionale, përmes analizës së thelluar të shkaqeve të dështimeve sistemike, duke adresuar neglizhencën, paaftësinë dhe praktikat korruptive.
 
4. Theksohet domosdoshmëria për forcimin e transparencës dhe llogaridhënies, përmes publikimit të procedurave të inspektimeve, raporteve të kontrollit dhe ndarjes së të dhënave me publikun në mënyrë të rregullt dhe të qasshme.
 
5. Kërkohet verifikim i detajuar i pasurisë dhe interesave të të gjithë zyrtarëve përgjegjës dhe inspektorëve, me qëllim të zbulimit të çdo konflikti interesi apo lidhjeje të mundshme korruptive me subjektet e inspektuara.
 
Poashtu Rekomandohet ndërmarrja e mbikëqyrjes së jashtëzakonshme në të gjitha objektet me rrezik të lartë, në përputhje me standardet ndërkombëtare të sigurisë, veçanërisht në sektorët e gastronomisë, shëndetësisë, arsimit, sportit, transportit dhe ndërtimit. Kërkohet reformë urgjente e politikës ndëshkimore, që garanton ndëshkime të drejta, të rënda dhe të zbatueshme ndaj të gjithë atyre që, përmes veprimeve apo mosveprimeve të tyre, kontribuojnë në ndodhinë e tragjedive të tilla. Poashtu në Rezulutë Insistohet në zbatimin e menjëhershëm dhe të plotë të të gjitha rekomandimeve kundër korrupsionit të dhëna nga Komisioni për Antikorrupsion dhe Enti Shtetëror i Auditimit, pa vonesa, devijime apo selektivitet. 
 
VLORA LATIFI TOPOJANI