Maqedoni

Bie niveli i ujit në liqenin e Prespës, Mexhiti: Përpjekje maksimale për shpëtimin e liqenit

07.04.2025 13:37

Zëvendëskryeministri i parë dhe ministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Izet Mexhiti, është shprehur se ai si ministër i këtij dikasteri...

Zëvendëskryeministri i parë dhe ministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Izet Mexhiti, është shprehur se ai si ministër i këtij dikasteri, së bashku me faktorë ndërkombëtarë janë të interesuar që në bazë të politikave, të cilat janë duke i realizuar, ta shpëtojnë liqenin e Prespës. Këto prononcime u bënë, sepse pikërisht Mexhiti dhe Ministria e Mjedisit ishin nikoqirë të misionit këshillues Ramsar, për rekomandime se si të trajtohet dhe menaxhohet si duhet liqeni i Prespës dhe Parku Natyror i Ezeranit, të cilat janë në listën e zonave të mbrojtura Ramsar, që nga viti 1996. Sipas Mexhitit, pikërisht liqeni i Prespës është duke u ballafaquar me probleme të vazhdueshme për sa i përket nivelit të ujit. 
 
“Po bëjmë përpjekje maksimale për shpëtimin e Liqenit të Prespës. Sot jam nikoqir i misionit këshillues Ramsar, i cili me kërkesën tonë po qëndron në një mision verifikues të liqenit të Prespës dhe i cili për vite me radhë po ballafaqohet me ulje të theksuar të nivelit të ujit. Misioni do të vizitojë pjesë të liqenit të Prespës në Maqedoni, Shqipëri dhe Greqi për të bërë analiza se përse ky fenomen po ndodh. Këto probleme nuk mund të presin, prandaj nevojiten veprime urgjente dhe të koordinuara.”, - deklaroi ministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Izet Mexhiti. 
 
Lafaje: Kemi disa dyshime se përse e kemi këtë fenomen
 
Të gjitha këto përpjekje, sipas Mexhitit, janë pjesë të koordinimeve të cilat RMV-ja dhe Ministria e Mjedisit është duke i realizuar, me qëllim të përmbushjes së kërkesave të Bashkimit Evropian dhe marrëveshjes së gjelbër për mbrojtjen e natyrës, ndryshimeve klimatike dhe mbrojtjen e ujërave. Sipas përfaqësueses së Konventës së Ramsarit, Flore Lafaje, hetimet do të tregojnë një pasqyrë të saktë të faktorit të humbjes së nivelit të ujit.
 
“Do të vazhdojmë inspektimet tona në drejtim të gjendjes historike, se përse liqeni i Prespës është duke humbur sasi të madhe të ujit. Liqeni i Prespës është një pasuri për Evropën dhe prandaj vëmendja e të gjithëve bashkërisht duhet të jetë tek liqeni i Prespës. Kemi disa dyshime se përse e kemi këtë fenomen, por hollësitë do t’i kuptojmë pas ekzaminimeve.”, - theksoi përfaqësuesja e Konventës së Ramsarit, Flore Lafaje. 
 
Sipas të pranishmëve, deri më tani hetohen tre mundësitë të cilat çojnë në humbjen e sasisë së madhe të ujit, siç janë: ndryshimet klimatike, përdorimi i ujit për ujitje dhe rrjedhjet nëntokësore.   
 
FITIM KRYEZIU