Rajon

U arrestuan 16 shtetas të Serbisë, dyshohet se ishin spiunë të armatës serbe

07.04.2025 14:15

16 persona “të ndarë në katër automjete me targa të Kragujevcit të Serbisë” janë arrestuar në dy ditët e kaluara në Kosovë...

16 persona “të ndarë në katër automjete me targa të Kragujevcit të Serbisë” janë arrestuar në dy ditët e kaluara në Kosovë, nën dyshimin se kishin për qëllim mbledhjen e informacioneve, pasi janë gjetur dëshmi të ndërlidhjes me strukturat e inteligjencës ushtarake serbe, si dhe me anëtarë të grupit terrorist të Banjskës. Ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla, ka bërë të ditur se grupi i parë, i përbërë nga katër persona, u ndalua në Gjakovë. 
 
“Gjatë kontrollit të automjetit u gjetën fotografi me hartën e Republikës së Kosovës, fotografi të terroristëve të vrarë gjatë sulmit në Banjskë, dy thika, një sopatë dhe një dritë rotative.”, bëri të ditur Sveçla.
 
Për këta persona Prokuroria në Gjakovë ka kërkuar paraburgim 30-ditor. Grupi i dytë me 12 persona, është ndaluar në Prizren, teksa po strehoheshin në Seminarin Ortodoks të Bogosllavisë. Edhe në këtë grup ishin dy oficerë aktivë të shërbimeve të sigurisë serbe.
 
Osmani: Serbia synon destabilizimin e Kosovës
 
Ndërkohë, presidentja, Vjosa Osmani, thotë se Serbia ka tendenca të vazhdueshme për destabilizimin e Kosovës dhe të gjithë rajonit përmes veprimeve të mirë koordinuara me struktura ilegale dhe banda kriminale serbe. Osmani për arrestimin e qytetarëve serbë në Gjakovë dhe në Prizren diskutoi me të ngarkuarën me punë të Ambasadës Amerikane, Anu Pratipati. 
 
“Ky veprim është pjesë e një përpjekjeje të vazhdueshme nga Serbia për destabilizimin e Kosovës, përmes kërcënimeve dhe dhunës. Sipas presidentes, kjo përbën një ndërhyrje të papranueshme në sovranitetin shtetëror të Republikës së Kosovës.",  deklaroi presidentja, Osmani.
 
Nga kabineti i presidentes bëjnë të ditur se Osmani po ashtu ka theksuar se Kosova nuk do të tolerojë asnjë ndërhyrje që rrezikon paqen, rendin kushtetues dhe sigurinë e të gjithë qytetarëve të saj, pa dallim përkatësie.
 
GYLTENE SINANI