Maqedoni
Zhvillimet brenda koalicionit VLEN, Mexhiti: VLEN në një parti, Taravari në mëdyshje
07.04.2025 14:30
Brenda javës koalicioni VLEN vendos nëse do të shkrihet në një parti politike...

Brenda javës koalicioni VLEN vendos nëse do të shkrihet në një parti politike. Si rrjedhojë e unifikimit, VLEN në zgjedhje lokale do të kishte kandidatë, lista dhe shtab të përbashkët, thotë kryetari i Lëvizjes Demokratike, Izet Mexhiti. Mexhiti deklaron se kjo është kërkesë e votuesve të tyre, por thotë se i vetmi në mëdyshje ndaj kësaj nisme është Arben Taravari. Ai porosit Taravarin se është alogjike të jesh pjesë e VLEN-it dhe të bashkëpunosh me BDI-në.
“Po shqyrtojmë mundësinë këto ditë që VLEN-i sërish të dëgjojë votuesin shqiptar, sepse në të kaluarën ka kërkuar unifikimin e opozitës shqiptare, tani kërkon që subjektet të shkrihen në kuadër të VLEN-it dhe besoj që së shpejti, brenda javës do të ketë iniciativë që VLEN-i të jetë një opsion, pra të gjithë brenda VLEN-it, të katër subjektet, Lëvizja Demokratike, Besa, Alternativa, Vetëvendosja. Edhe përkrahësit e VLEN-it kërkojnë shkrirjen e VLEN-it. I vetmi që ka dilema është zoti Taravari dhe ai duhet të sqarojë në opinion se nuk mund të jetë edhe pjesë e VLEN-it, edhe të bashkëpunosh me BDI-në, sepse atëherë humb kuptimi i ndryshimit, humb kuptimi i asaj për të cilën kemi kërkuar votën para një viti.”, - deklaroi zëvendëskryeministri i parë, Izet Mexhiti.
Taravari: S’kam ftesë për t’u shkrirë në VLEN
Kryetari i ASh-së, Arben Taravari, thotë se nuk ka ofertë për unifikim të VLEN-it. Ai nuk e përjashton mundësinë për ta shqyrtuar si çështje, por thotë se nuk pranon ultimatum nga VLEN-i duke iu referuar ofertës për të pranuar 35% të listave të këshilltarëve komunal, si dhe katër, eventualisht pesë kandidatëve për kryetarë komunash.
“Unë gëzohem që ata kanë rënë dakord: Vetëvendosja, LD-ja, Alternativa dhe Besa, që të shkrihen dhe e përshëndes këtë akt, më pëlqen. ASh do të mbetet si subjekt që do të tentojë përsëri të bashkëpunojë, nëse këto shkrihen në një parti. Deri tek ne nuk ka ardhur një ftesë e tillë. Në qoftë se vjen, do ta shqyrtojmë, kemi miq, kemi shokë dhe as që e diskutoj që mund ta hapim edhe atë temë.”, - theksoi kryetari i ASh-së, Arben Taravari.
Edhe në rast të mos dakordimit, Taravari thotë se pesë deputetët e partisë së tij do të veprojnë si subjekt i posaçëm. Ndërkohë, mohon bashkëpunimin me BDI-në. Edhe përkundër lëkundjeve brenda VLEN-it, kryeministri Hristijan Mickoski thotë se raportet midis dy blloqeve politike brenda Qeverisë janë të shkëlqyera. Kryeministri nuk mendon të bëjë ndryshime në kabinetin e tij qeverisës para zgjedhjeve lokale.
MERAL ISMAILI
