Dita botërore e shëndetësisë, rritet kapitacioni për mjekët amë

07.04.2025 15:05

Qeveria ka paralajmëruar rritje të kapitacionit për mjekët amë...

Qeveria ka paralajmëruar rritje të kapitacionit për mjekët amë, e cila do të përmirësojë ndjeshëm kushtet dhe pagat në kujdesin primar shëndetësor.

Në ditën botërore të shëndetësisë, kryeministri Mickoski uroi punëtorët shëndetësorë, duke shprehur mirënjohje për përkushtimin e tyre dhe paralajmëroi reforma në mbrojtjen primare shëndetësore.

“Vlera e pikës së kapitacionit rritet nga 75 në 100 denarë për mjekët e përgjithshëm familjarë dhe gjinekologë, dhe nga 61 në 75 denarë për stomatologët, që paraqet rritje prej 33%, përkatësisht 23% dhe është domethënëse për motivimin e mjekëve në kujdesin parësor shëndetësor.”, - deklaroi kryeministri, Hristijan Mickoski.

Sipas ministrit të Shëndetësisë, Arben Taravari, rritja e kapitacionit do t'i motivojë mjekët, që në mënyrë të pavarur t'i kryejnë procedurat për të cilat kanë trajnim adekuat, me çka do të ulet presioni në mjekësinë sekondare.

“Jemi të vetëdijshëm se një kujdes shëndetësor primar është themeli i një sistemi shëndetësor stabil efikas dhe human, prandaj investimi dhe kujdesi primar nuk është vetëm një masë financiare, por edhe një mesazh që ne e dimë, e çmojmë dhe besojmë në përkushtimin e punonjësve tanë shëndetësorë. Ky është vetëm fillimi i një politike të përkushtuar, që do të vazhdojë me masa sistemore”. – deklaroi ministri i Shëndetësisë, Arben Taravari.

FSSh: Inkorporohen 5 protokolle të reja, synojnë zbulimin e sëmundjeve malinje

Ndërkohë, me rastin e 7 prillit, Ditës botërore të shëndetësisë, Fondi për Sigurim Shëndetësor prezantoi synime të reja për parandalimin dhe zbulimin e hershëm të sëmundjeve malinje.

“Kemi synime të reja për parandalimin dhe zbulimin e hershëm të sëmundjeve malinje të prostatës, zorrës së trashë dhe qafës së mitrës, të cilat duhet të funksionojnë në sinergji me programet parandaluese të Ministrisë së Shëndetësisë.”, - theksoi drejtori i Fondit për Sigurim Shëndetësor, Sasho Klekovski.

Taravari po ashtu potencoi se është menaxhuar me sukses tragjedia në Koçan dhe tani vetëm 3 pacientë janë në gjendje kritike. Ai shtoi se qëllimi i Qeverisë ishte që të ketë sa më pak viktima dhe se në këtë ia dolën, duke theksuar se transporti, akomodimi dhe mbështetja financiare për pacientët dhe familjet e tyre ishte plotësisht falas, si dhe u ofruan programe të veçanta të ndihmës financiare. (Abibe Qaili, TVM2)