Maqedoni
Komisioni Anketues për Koçanin, Mickoski: Të përfshijë edhe rastet e mëparshme
07.04.2025 15:20
Kryeministri, Hristijan Mickoski, rithekson që tragjedia e Koçanit të kalojë nëpër hetim objektiv dhe me përgjegjësi...

Kryeministri, Hristijan Mickoski, rithekson që tragjedia e Koçanit të kalojë nëpër hetim objektiv dhe me përgjegjësi, ndërkaq edhe tragjeditë e mëhershme si ajo e “Besa Transit”, Llaskarcës dhe spitalit modular të vihen në rishqyrtim dhe të shihet siç thotë ai, mënyra e drejtësisë së shpejtë në këto raste, të cilat deri më tani janë mbyllur pa u arrestuar askush.
“Nëse me të vërtetë duam “rivendosje”, atëherë ajo “rivendosje” duhet të bëhet në të gjitha fushat. Të shohim edhe rastin e Llaskarcës, “Besa Transit”, spitalit modular, të shohim pra se si është vepruar, si është bërë tenderi, pse është bërë ashtu, kush ka qenë mbikëqyrës dhe shumë pyetje tjera që duan përgjigje. Nëse me të vërtetë duam raport, sepse kur ndodhën ato raste përfunduan me zero të arrestuar, ndërsa rasti në Koçan deri më tani ka 34 dhe numër të madh të personave zyrtarë të tanishëm dhe të mëparshëm, të cilët përmes MPB-së thirren në Prokurori në bisedë informative.”, - deklaroi kryeministri, Hristijan Mickoski.
Shefi i Qeverisë mbështet drejtësinë për zbardhjen e tragjedive, që mund të sigurohet nga formimi i Komisionit Anketues në Kuvend.
“Pati ide dhe iniciativë që në suaza të Parlamentit të ketë Komision Anketues për rastin e Koçanit. Ne propozuam dhe grupi ynë parlamentar propozoi dhe qëndron pas asaj që të zgjerohet me këto tri rastet e tjera. Aty mund të ketë debat publik, të bisedohet, të hapen të gjitha argumentet dhe të prezantohet e gjitha ajo që paraqet “dyshim”.”, - theksoi kryeministri, Hristijan Mickoski.
Mickoski, i vendosur se nuk ka vend më për improvizime dhe se drejtësia në vend duhet të funksionojë për të gjitha rastet, si dhe procesi të mbikëqyret edhe nga opinioni publik dhe mos të ketë më hapësirë për përsëritjen e tragjedive.
NERMIN MULAKI FEJZULLAHU
