Ekonomi, inflacioni përmes kostos së jetesës është 2.7%

07.04.2025 16:07

Inflacioni në mars të vitit 2025...

Inflacioni në mars të vitit 2025 krahasuar me muajin shkurt shënoi një rënie prej -1.3%, të dhëna këto të Entit Shtetëror të Statistikave, njoftoi në rrjetin social Facebook, ministri i Ekonomisë dhe Punës, Besar Durmishi.

“Masat e Ministrisë së Ekonomisë dhe Punës po japin rezultat. Çmimet e produkteve ushqimore bazë janë në stabilizim dhe në rënie. Në nivel vjetor në mars të vitit 2025 krahasuar me marsin e vitit 2024, inflacioni i matur përmes kostos së jetesës është 2.7%. Në vazhdimësi po punohet në masa për përmirësimin e standardit të qytetarëve dhe stabilizimin e çmimeve.”, - ka shkruar ministri, Durmishi.

Qeveria, me propozim të Ministrisë së Ekonomisë dhe Punës, mori vendim për kufizimin e marzhës bruto të fitimit të 102 grupeve të produkteve ushqimore bazë, si dhe vendim për përcaktimin e çmimeve më të larta të 8 grupeve të produkteve ushqimore bazë.

Këto dy vendime kanë hyrë në fuqi më 20 shkurt dhe do të vlejnë deri më 30 prill të vitit 2025.