Maqedoni

Gostivar, 1.5 milionë denarë për xhaminë e vjetër në Raven

07.04.2025 16:34

Xhamia e vjetër në fshatin Raven të Gostivarit do të restaurohet tërësisht dhe do të hapet deri në fund të vitit të ardhshëm...

Xhamia e vjetër në fshatin Raven të Gostivarit do të restaurohet tërësisht dhe do të hapet deri në fund të vitit të ardhshëm, njoftoi ministri i Kulturës dhe Turizmit, Zoran Lutkov, gjatë vizitës së sotme në Gostivar. Për punimet në xhami deri më tani janë ndarë 690.000 denarë, ndërsa këtë vit ministria ka siguruar 1.5 milionë denarë.
 
“Këtu edhe më herët është intervenuar disa herë. Tani po punohet në strukturën prej druri, në dysheme dhe disa operacione të tjera dhe shpresoj që deri në fund të vitit 2026, me një ndërhyrje tjetër të vogël në rregullimin e katit përdhes dhe një pjesë në minare, xhamia e vjetër do të jetë gati dhe e hapur.”, - deklaroi ministri i Kulturës dhe Turizmit, Zoran Lutkov.
 
Ministri i Kulturës dhe Turizmit së bashku me zëvendësin e tij, Sedat Sulejmani, gjatë vizitës në Gostivar ishin edhe në kishën e Shën Dhimitrit, vizituan edhe Sahat Kullën, Shtëpinë e Begut, e cila është simbol i arkitekturës së vjetër të qytetit dhe ku do të ketë shumë intervenime, si dhe shtëpinë e Ahmed Çakos, e cila fatkeqësisht u dogj, por megjithatë nikoqirët hapën dyert dhe  njoftuan për situatën. 
 
“Duhet të them se Gostivari ka shumë monumente të kulturës dhe ne si Ministri e Kulturës dhe Turizmit do të ndërhyjmë mjaftueshëm në vitet e ardhshme në Gostivar, që përveçse qytet i institucioneve kulturore, të bëhet edhe qytet i turizmit.”, tha ministri i Kulturës dhe Turizmit, Zoran Lutkov.
 
Gjatë qëndrimit të sotëm në Gostivar, Lutkovi dhe Sulejmani vizituan institucionet kombëtare në fushën e kulturës dhe zhvilluan takime me udhëheqësit e tyre.
 
LULZIM HAZIRI