Maqedoni
Ekologji, konkurs për ndarjen e mjeteve 2025, Mexhiti: Në dispozicion 229 milionë denarë
08.04.2025 12:32
Është shpallur konkursi publik për ndarjen e mjeteve për financimin dhe realizimin e programeve...

Është shpallur konkursi publik për ndarjen e mjeteve për financimin dhe realizimin e programeve, projekteve dhe aktiviteteve të tjera në fushën e mjedisit jetësor për vitin 2025. Zëvendëskryeministri dhe njëherit ministër i Ekologjisë, Izet Mexhiti, tha se programi në vlerë prej 229 milionë denarësh këtë vit, dedikohet për përmirësimin e rrjetit të ujësjellësit, kanalizimit, pastrimin e ujërave të zeza, për ujë më cilësor, tokë më të shëndetshme, bioversitet më të mbrojtur, si dhe rritjen e ndërgjegjes publike për mjedisin jetësor.
“Shuma e përgjithshme që shpërndajmë këtë vit është 229 milionë denarë për katër qëllime apo shtylla kryesore. 100 milionë denarë për përgatitjen e dokumentacionit teknik për ndërtimin e sistemeve të kanalizimit për pastrimin e ujërave të zeza. 100 milionë denarë për përgatitjen e dokumentacionit teknik për ndërtimin dhe përmirësimin e rrjetit të ujësjellësit, 10 milion denarë për nxitjen e projekteve arsimore, kërkimore dhe zhvillimore dhe 19 milionë denarë për ngritjen e vetëdijes publike, edukimin dhe trajnimin, si dhe mbrojtjen e mjedisit.”, - deklaroi zëvendëskryeministri dhe ministri i Ekologjisë, Izet Mexhiti.
Mjetet janë të dedikuara për komunat, shoqatat e ndryshme komunale, OJQ-së, personave fizikë dhe juridikë, si dhe institucioneve shkencore arsimore. Mexhiti thotë se vlera e përgjithshme e programit këtë vit është dyfishuar për dallim nga vitet e kaluara. Mexhiti bën thirrje që sa më shumë subjekte të konkurrojnë për fonde dhe njëherit garanton transparencë dhe proces të drejtë gjatë ndarjes së këtyre mjeteve.
“Ftoj të gjitha komunat, shoqatat civile dhe institucionet të përfshihen masovikisht në këtë proces dhe të mos e humbasin këtë mundësi, i kemi burimet, i kemi kriteret e qarta dhe kemi një thirrje të hapur që zgjat tre javë nga sot. Aplikimi është thjeshtësuar përmes formularëve të përcaktuara qartë, veçmas për komunat, veçmas për subjektet joqeveritare dhe veçmas për subjektet tjera, në mënyrë që secili aplikues të ketë një qasje të përshtatshme dhe të drejtë.”, - theksoi zëvendëskryeministri dhe ministri i Ekologjisë, Izet Mexhiti.
Të gjitha subjektet e interesuara për të konkurruar duhet të plotësojnë kërkesën e veçantë, që gjendet në ueb faqen e Ministrisë së Ekologjisë për shpërndarjen e fondeve, duke elaboruar projektet e tyre për të cilën aplikojnë që të fitojnë fondet.
REXHEP QAMILI
