Maqedoni
Vrasja e Teodora Ristovskës, palët e pakënaqura me vendimin, kërkohet rishqyrtim i vendimit të gjykatës në Tetovë
08.04.2025 13:55
Mickoski ka reaguar ndaj vendimit të fundit të gjykatës në Tetovë...

Kryeministri Hirstijan Mickoski ka reaguar ndaj vendimit të fundit të gjykatës në Tetovë, e cila shqiptoi dënimin prej vetëm dy vite burg për Mensur Pajazitin, i cili në vitin 2022 shkaktoi aksident tragjik, ku humbi jetën 22-vjeçarja, Teodora Ristovska në një kalim për këmbësorë. Mickoski e cilësoi vendimin si një goditje të rëndë ndaj ndjenjës së drejtësisë në shoqëri, duke theksuar se opininoni publik është tronditur nga ky epilog gjyqësor. Ai tha se është thellësisht i zhgënjyer si qytetar dhe si prind, dhe kërkoi nga Këshilli Gjyqësor, që urgjentisht të shqyrtojë punën e gjykatësit që e mori këtë vendim.
“Pyes publikisht! A ka dikush në këtë shtet që mendon se është vendosur drejtësia? Kjo nuk është drejtësi dhe këtu ka dështuar sistemi, por kërkoj publikisht nga Këshilli Gjyqësor të rishqyrtojë punën e këtij gjyqtari që e mori këtë vendim.”, - deklaroi kryeministri, Hirstijan Mickoski.
Pas reagimit të ashpër të kryeministrit Mickoski reagoi edhe ministri i Drejtësisë, Igor Filkov, duke thënë se besimi në gjyqësor për dy për qind nuk është i kotë.
“Nuk guxoj dhe as nuk mund ta komentoj vendimin, por ajo që sigurisht dua të komentoj është reagimi i publikut dhe reagimi publik është ai zë i popullit që është shumë i rëndësishëm, që duhet të arrijë secilin prej nesh, përfshirë edhe Këshillin Gjyqësor që është i thirrur të reagojë. Besimi dy për qind në gjyqësor është dëshmuar edhe njëherë se nuk është i kotë.”, - theksoi ministri i Drejtësisë, Igor Filkov.
Pas aksidentit automobilistik të gushtit 2022, autori që goditi 22-vjeçaren, Teodora, u dënua fillimisht me tre vjet e gjashtë muaj burg. Gjykata e Apelit uli dënimin në dy vjet, por Gjykata e Lartë rrëzoi dënimet dhe e ktheu çështjen për rigjykim. Gjykata në Tetovë të hënën sërish e dënoi me dy vjet burgim autorin.
ABIBE QAILI
