Spitali “Pirogov” – Sofje, katër të lënduar u lëshuan në trajtim shtëpiak
Katër të lënduar në tragjedinë e Koçanit...

Katër të lënduar në tragjedinë e Koçanit, të cilët trajtoheshin në spitalin “Pirogov” në Sofje, sot janë lëshuar në mjekim shtëpiak. Autoritet e repartit për kirurgji plastike dhe trajtimin e djegieve njoftojnë se që të katër pacientët, të moshës 15 deri në 31 vjet, janë në gjendje stabile. Për 21 ditë trajtim, tek të lënduarit janë kryer më shumë se 12 ndërhyrje. Prindërit e fëmijëve me shumë falënderime ndaj mjekëve, janë shprehur për gjendjen stabile të fëmijëve të tyre.
“Jemi plot shpresë se një ditë do ta tejkalojnë gjithë këtë ndodhi. Falënderojmë të gjithë, posaçërisht Ministrinë e Jashtme bullgare që na ndihmuan më lehtë t’i tejkalojmë këto ditë të vështira. Fëmijët kur duan flasin për ngjarjen, kur nuk duan ne nuk i sforcojmë. Atyre do t’u mbetet një traumë e madhe për gjithë jetën.”, - tha një prinde, Katica Petrova.
“Do të shkojmë sot. Sërish do të vijmë dhe mjekimi i fëmijëve tanë do të vazhdojë këtu.”, - u shpreh një prind tjetër, Borçe Minov.
Në spitalin “Pirogov” mbeten për trajtim edhe katër pacientë të tjerë. Gjendja e tyre është e rëndë, por nën kontroll, thonë mjekët. Ata po trajtohen në repartin intensiv. Jashtë vendit vazhdojnë të kurohen gjithsej 64 pacientë.
Ndërkaq në spitalet e vendit, trajtim spitalor po marrin shtatë persona. Katër janë të hospitalizuar në Klinikën Kirurgjike ‘Shën Naumi i Ohrit”, një po mjekohet në klinikën e toksikologjisë, dhe dy të tjerë në spitalin privat “Sistina”. (Meral Ismaili, TVM2)
