Mexhiti: Taravari të zgjedhë – ose me ne, ose me Ali Ahmetin

08.04.2025 15:06

Taravari duhet të vendosë përfundimisht...

Taravari duhet të vendosë përfundimisht, do të jetë me ne apo me Ali Ahmetin, kështu deklaroi kryetari i Lëvizjes Demokratike, pjesë e koalicionit VLEN, Izet Mexhiti. Ai theksoi se koalicioni VLEN përfaqëson të kundërtën e BDI-së, prandaj e konsideron të papranueshme që dikush të jetë pjesë e këtij koalicioni, ndërkohë që zhvillon negociata me BDI-në.

“Ne mbrëmë e ftuam Taravarin që të reflektojë, sepse flitet dhe ka informata dhe vet e ka vërtetuar se ka bisedime me Ali Ahmetin, me BDI-në. Pra, brenda VLEN-it gjithçka është e lejueshme, është legjitime edhe për ndërtim pozicionesh edhe për ndërtim idesh, projekte politike, por demokracia ka një rregull: debatohet pro dhe kontra, hidhen argumentet në tavolinë dhe në fund nëse mbivotohesh shkon propozimi i shumicës në atë rast. Por, kjo nuk do të thotë se nëse nuk merresh vesh te shtëpia, duhesh të shkosh me qëndrime të BDI-së.”, - deklaroi Izet Mexhiti nga VLEN.

Lidhur me deklarimet e kreut të Aleancës për Shqiptarët, Arben Taravari, se edhe Mexhiti ka komunikim me plot figura në BDI, Mexhiti u përgjigj se nuk duhet të relativizohen gjërat, dhe se komunikon me të gjitha partitë dhe deputetët, por kjo dallon nga marrëveshja politike.

Lidhur me idenë e shkrirjes së koalicionit VLEN në një parti të vetme, Mexhiti, u shpreh se çështja e kryetarit nuk është thelbësore.

Sipas tij, ka hapësirë të mjaftueshme në strukturat drejtuese për të gjithë, duke theksuar se nuk bëhet fjalë për bajraktarizëm, por për një thirrje të qartë nga elektorati që kërkon ndarje të skenës politike shqiptare në dy tabore të qarta.

“Nuk është me rëndësi se cili do të jetë kryetari, ka vend aty në udhëheqësi. Dikush do të jetë kryetar, dikush sekretar, dikush nënkryetar. Pra, nuk është koncept i bajraktarizmit, është pra thirrje nga qytetarët, thirrje nga votuesit, se shqiptarët duan si në Shqipëri edhe Kosovë, apo edhe si te pala maqedonase, të ketë dy tabore. Për hir të së vërtetës, këtë proces të shkrirjes veç më e kemi filluar vitin e kaluar, sa për informim. Qendra për Informim, pra nuk është e subjekteve partiake, por është e VLEN-it në përgjithësi, ku marrin pjesë gjitha subjektet, edhe zotëri Taravari me Aleancën.”, - theksoi Izet Mexhiti nga VLEN.

Pavarësisht trazirave të koalicionit VLEN, kryeministri Hristijan Mickoski nuk planifikon rikunstruim të Qeverisë para zgjedhjeve lokale. Ai paraprakisht theksoi se Qeveria funksionon e bashkuar dhe se marrëdhëniet në Qeveri janë të shkëlqyera. (Armend Murseli, TVM2)