Rajon

Konjufca: Konsultim për konstituimin e Kuvendit

08.04.2025 15:22

Takimi koordinues i kryetarëve të partive politike me kryetarin në detyrë të Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca...

Takimi koordinues i kryetarëve të partive politike me kryetarin në detyrë të Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, për seancën konstiutive të Kuvendit që mbahet më 15 prill, ka kaluar mirë. Këtë e deklaroi Konjufca pas takimit të thirrur nga ai. 
 
“Gjithçka shkoi mirë, u caktuan ulëset. Në mes ulet partia me më së shumti ulëse: Lëvizja Vetëvendosje. Dy krahët janë, siç kanë qenë PDK-ja dhe LDK-ja. AAK-ja u deklarua që ulet vetë ashtu, siç ka qenë.”, - deklaroi kryetari në detyrë i Kuvendit, Glauk Konjufca.
 
Haxhiu: Kryeministër do të jetë Albin Kurti
 
Ndërkohë Albulena Haxhiu, nga Lëvizja Vetëvendosje, bëri të ditur se në kuadër të bisedimeve për Qeverinë e re, çështja e kryeministrit është e panegociueshme, ndërsa mund të negociohet çështja e kryeparlamentarit. 
 
“Kurti ka ftuar për takim LDK-në për nesër apo pasnesër, janë dy ditë në disa orare. Qëllimi është konstituimi i Kuvendit duke pasur parasysh që nuk konsiderohet që Kuvendi i Kosovës është konstituuar pa u zgjedhur kryetari dhe nënkryetarët e saj. Ajo që dihet tani për tani është emri i kryeministrit. Nuk dihen emrat e personave të tjerë, të cilët do të mbajnë pozicione të tjera, qoftë në Qeveri apo Kuvend, por ajo që dihet është se kryeministër do të jetë Albin Kurti dhe Qeveria e Kosovës do të votohet shumë shpejt.”, - theksoi Albulena Haxhiu nga Vetëvendosja.
 
Kica Xhelili: Abdixhiku do t’i përgjigjet Kurtit
 
Qëndrimi i LDK-së është që sa më parë të krijohen institucionet, duke respektuar afatet ligjore, thotë nënkryetarja e LDK-së, Doarsa Kica Xhelili. Ajo tha se i mbetet kryetarit të partisë, Lumir Abdixhiku të vendosë nëse do t’i kthejë apo jo përgjigje kryetarit të LVV-së, Albin Kurti, i cili e ftoi në një takim këtë javë. 
 
“Sikurse e keni parë, letra i është drejtuar kryetarit të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhikut dhe rrjedhimisht mbetet te z. Abdixhiku të kthejë përgjigje zyrtare apo të mos kthejë përgjigje zyrtare, në raport se a e pranon një ftesë të tillë për diskutim ose jo. Kjo nuk nënkupton asgjë në raport me qëndrimet tona karshi Lëvizjes Vetëvendosje.”, - u shpreh Doarsa Kica Xhelili nga LDK.
 
Ismaili: Hamza, i gatshëm ta formojë Qeverinë
 
Nënkryetari i PDK-së, Uran Ismaili, thotë se pozicioni i PDK-së është se kandidati i saj për kryeministër, Bedri Hamza, mund ta krijojë Qeverinë, nëse këtë dështon ta bëjë LVV-ja. 
 
“Unë e kam bindjen se në qoftë se ka një paaftësi të partisë së parë për ta realizuar Qeverinë, unë kam një bindje që z. Hamza është një person mjaft i aftë për ta ndërtuar një koalicion që e ka në fokus atë që e ka premtuar: zhvillimin ekonomik, përmirësimin e mirëqenies së qytetarëve dhe mendoj që është një person që pranohet nga një shumicë e mjaftueshme në Kuvend, atëherë kur i vjen rasti.”, - deklaroi Uran Ismaili nga PDK.
 
Me qëllim të konstituimit të plotë të Kuvendit të Republikës së Kosovës dhe procesit të zgjedhjes së Qeverisë së re, kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka ftuar për takim të mërkurën, më datë 9 prill apo të enjten, më datë 10 prill. Paraprakisht Kurti ka realizuar takime me partitë e minoritetit jo serb dhe me kryetarin e Nismës, Fatmir Limaj.
 
GYLTENE SINANI